17-vjeçarja ishte larguar nga shkolla tre herë gjatë ditës, duke u kthyer në banesë
Detaje të rënda janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër, ku një 17-vjeçare dyshohet se ka kryer vetëvrasje.
Familjarët e zbuluan aktin tragjik disa orë më vonë, ndërsa ishte i ati ai që e konstatoi dhe njoftoi urgjencën. Mjekët konstatuan se adoleshentja kishte ndërruar jetë, duke lënë pas një letër rrëqethëse që ka thelluar edhe më shumë tronditjen e familjes dhe komunitetit. Në sendet personale të vajzës, familjarët gjetën një letër të shkruar në anglisht, pa datë, në të cilën ajo rrëfente dhimbjen dhe izolimin që ndiente për shkak të bullizmit.
“Pse më bullizojnë mua?” – shkruante 17-vjeçarja, duke dhënë një sinjal të qartë se ndjehej e përjashtuar dhe e sulmuar nga bashkëmoshatarët. Kjo ka ngritur edhe më shumë dyshime mbi faktorët që e çuan drejt aktit fatal.
Sipas burimeve nga hetimet, para se të kryente veprimin tragjik, 17-vjeçarja ishte larguar nga shkolla tre herë gjatë ditës, duke u kthyer në banesë, por çdo herë aty ndodhej i ati. Vetëm pasi gjeti një moment kur ishte e vetme në shtëpi, ajo vendosi t’i japë fund jetës.
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që mund ta kenë shtyrë të renë drejt vetëvrasjes. Ndërkohë, ngjarja ka rihapur debatin mbi bullizmin në shkolla dhe mungesën e mekanizmave të mbështetjes psikologjike për nxënësit.