Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me urdhër-arrestet e lëshura gjatë ditës së sotme nga SPAK, ku drejt komisariatit është shoqëruar Safet Bajri, ndërsa Asmer Bilali ndodhet në burgun e Reçit ku do t’i komunikohet akuza e re, gjithashtu masë arresti është lëshuar dhe për kushëririn e Safet Bajrit, Behar Bajri.
Ngjarja për të cilën dyshohet se këta persona po hetohen, është vrasja e Fatbardh Licit në vitin 2018 në Kiras të Shkodrës. Sipas burimeve për media, dyshohet se Safet Bajri ka bashkëpunuar me Asmer Bilalin për vrasjen e Fatbardh Licit.
Fatbardh Lici ka qenë vëllai i Mustafa Licit, babai i viktimës Hamza Lici dhe Ibrahim Lici. Kujtojmë që Hamza Lici humbi jetën si pasojë e një antentati të ndodhur më 30 tetor në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku si pistë kryesore po hetohet ajo e gjakmarrjes. Safet Bajri është një nga të dyshuarit kryesor të kësaj masakre pasi përplasjet e fisit të Bajrave me Licin datojnë vite më parë.
Me të njëjtën pistë është lidhur dhe vrasja e Fatbardh Licit në atë kohë, pas një atentati të ndodhur më 18 qershor 2018 ku mbeti i vrarë ish-polici Boran Bërçana dhe bashkëshortja e tij.
Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri ndërsa vrasja e Fatbardh Licit mendohet se është autorësi Bajrave si shenjë hakmarrje për vrasjen e ish-policit Bërçana.
Për asnjërën prej këtyre ngjarjeve të lartpërmendura nuk ka përfundime zyrtare nga autoritetet si dhe as persona të arrestuar.