Sekseri i oligarkëve Baton Haxhiu, pjesë e dosjes së korrupsionit të Ilir Metës, i cili shfaqet si analist në banaqet televizive, hodhi mbrëmë tezën e shkrirjes së SPAK pasi ka krijuar frikë në radhët e korrupsionit elitar dhe grupeve kriminale. Sipas Haxhiut tani që fitoi Trump dhe që Shqipëria po avancon drejt BE-së, SPAK nuk është më i nevojshëm.
Hetimet e SPAK zbuluan që Baton Haxhiu ishte pjesë e pastrimit të parave nga Ilir Meta në bashkëpunim me oligarkët. Një vilë në Golem që Meta e kishte blerë për 60 mijë USD dhe e kishte shitur fiktivisht për 300 mijë euro, ka përfunduar në pronësi të Baton Haxhiut. Ka dyshime se Haxhiu kamuflon pasuri të paligjshme të Ilir Metës.
Publikimi i listës së pagave zbuloi se Baton Haxhiu paguhej me 18 mijë USD në muaj nga një tjetër oligark, pa bërë asgjë. Dyshohet se Haxhiu ka ndërhyrë te Edi Rama për t’i dhënë para publike këtij oligarku dhe ky i fundit ka sajuar ‘punësimin’ e Haxhiut për t’i dhënë pagesën për punën e sekserit. Baton Haxhiu rezulton se ka marrë para edhe nga inceneratorët përmes një portali të tij periferik. Haxhiu del si sekser në shumë punë të tjera të pista mes oligarkëve dhe pushtetit në disa dosje të tjera të SPAK-ut.
“Ajo që mendoj unë, SPAK varet nga dy njerëz, një është Edi Rama dhe dy është Sali Berisha, krejt të tjerat janë përralla. Nëse dikur ka patur një presion për të krijuar frikën në Shqipëri, tani është SPAK nevojë që drejtësinë ta kthejmë në binarë. Nëse SHBA konsideron se Shqipëria ka arritur në fazë që hajnia dhe korrupsioni është goditur, do të kemi së shpejti nga dy liderët një ligj penal të ri, ku do të futen nene që SPAK e humb fuqinë edhe me ekzistencën e saj. Administrata e kaluar ka bërë betejë për nene të caktuara, si shpërdorimi i detyrës, por kjo do të ndryshojë. Nëse hyn në ligjin e ri penal, atëherë baza e drejtësisë merr tjetër dimension. Kjo drejtësi speciale e SPAK do të jetë e panevojshme“, tha Haxhiu.