Si Erion Veliaj ‘ia futi’ vetes me prokurorin Ols Dado! Ervin Karamuco nxjerr detajet qe askush si thote

Që prej arrestimit të tij Erion Veliaj nuk ka ndalur akuzat dhe sulmet ndaj prokurorit Ols Dado. Përpos “shpërthimeve” të kryebashkiakut Veliaj në rrjetet e tij sociale, situata një njëjta u regjistruan edhe gjatë seancës së Veliajt në GJKKO, ku ky i fundit ia përmendi prokurorit “të mirat” që i ka bërë më herët duke i dhënë një lejë ndërtimi.

Por këto akuza dhe këtë fjalor që Veliaj e ka përdorur dhe po vijon ta përdorë ndaj Dados, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka rezervat dhe këshillat e veta.

I ftuar këtë të martë në “Euronews Albania”, Karamuço thotë se nëse do të ishte avokati i kryebashkiakut, nuk do ta lejonte të bënte komunikime të tilla dhe se do e këshillonte që të mos reagonte në këtë formë dhe mënyrë që ai ka reaguar.

“Unë nëse do isha avokat i zotit Veliaj nuk do e lejoja të bënte komunikime të tilla, sepse gjërat në mikro, teknike, ti nuk i qartëson dot”, tha Karamuço ndër të tjera, teksa më tej tha se solidarizohet me të gjithë prokurorët e SPAK.

“Unë solidarizohem me të gjitha vlerat që përmban SPAK-u, në kuptimin, etik, institucional, që ne nuk duhet ta lejojmë këtë lloj gjuhe, është gjuhë e tepruar që mund të krijojë shumë perceptime të tjera publike në mënyrë edhe të padrejtë. Nuk mund të drejtohesh me gisht aty”, shtoi ai.

Jo më larg se disa orë në parë kryebashkiaku Erion Veliaj sulmoi sërish prokurorin Dado. Duke iu referuar si “Ols Violina”, Veliaj hetimi ndaj tij është i pabazuar dhe akuzat që janë ngritur ndaj tij janë të pabaza, duke e krahasuar prokurorin me hetuesit e regjimit të Enver Hoxhës.

“Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg.

Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia.

Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.

Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.

Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë”, shkruante Veliaj ndër të tjera në reagimin e tij të bërë këtë të martë.