“Nuk mendoj se duhet t’i jap ngjyrat që nuk janë, një pyetjeje të thjeshtë televizive”. Kështu është shprehur ish-Miss Shqipëria Ertemiona Mejdani, e pyetur se si u ndje kur pyetën të dashurin e tij Devis Xherahu si është në shtrat.
Në një intervistë për “Panorama Plus”, ajo shtoi se “situata të tilla ndodhin për efekte televizive”.
I ftuar me artistin e famshëm grek, Lefteris Pantazis, pyetjeve të tipit “Pse nuk martohesh?”, Devisi iu përgjigj se e rëndësishme është që është martuar në zemër. Edhe ti ke të njëjtin mendim, apo je për martesën?
Kjo është një pyetje që zakonisht u bëhet të gjitha çifteve. Normalisht, edhe unë, edhe Devisi jemi “pro” martesës, megjithatë ajo që është e rëndësishme, është “unaza në zemër”. Ndodh rëndom të kemi parë çifte të martuar në letër, por shumë larg në zemër, sepse ndjekin teorinë “Martohen, njihen dhe ndahen”. Nuk kam dashur të jetë kështu me ne. Ne u njohëm, u dashuruam dhe, normalisht, do të martohemi.
Po pyetjen në ekran, se kush ishte me i mirë në shtrat ai apo Lefteris, që u bëri moderatorja e programit , si e prite?
Nuk mendoj se duhet t’i jap ngjyrat që nuk janë, një pyetjeje të thjeshtë televizive. Unë e di mirë se si funksionon bota e televizionit, sa të stisura janë mbrapa kuintave dhe sesa të filtruara vijnë te publiku.
Po përgjigjja që i dha Devisi se aftësinë e tyre në shtrat do e mësonte po të kalonte nga shtrati i secilit, por që ai është i lidhur dhe s’bëhet, çfarë shije të la?
Iu drejtua një pyetje dhe ai duhet të jepte një përgjigje…
Ishte përgjigjja më e mirë që mund të jepte në këndvështrimin tënd si vajzë dhe partnerja e tij?
Unë nuk kam këndvështrime. Situata të tilla ndodhin për efekte televizive. Jam e sigurt që në realitet Kejvina nuk do të ishte e detyruar, apo t’i interesonte të bënte pyetje të tilla, sikurse dhe Devisi nuk do të ishte i detyruar të jepte domosdoshmërisht një përgjigje.
Do të rikthehesh si modele në klipet e Devisit, ashtu si vite më parë?
Devisi ka dashur të jem pjesë sërish në klipet e tij, për shkak se ndihet më i lirshëm teksa performon, mirëpo unë kam këmbëngulur që të jenë imazhe të tjera për të mos ardhur të ripërsëritur.
KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS