TIRANË- Një vajzë është plagosur me thikë mbrëmjen e djeshme në Tiranë! E gjitha ka nisur pas një përplasje mes disa vajzave në autostadën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës. Pas përplasjes në autostradë, dy motrat Xhemile dhe Esma Verlaku shkuan për të bërë denoncimin në Komisariat, por në moment të fundit kanë ndryshuar mendjen. Edhe pse kishin shkuar në ambientet e Komisariatit nr.2, nuk pritën më shumë se 4 minuta për të bërë kallëzimin, por u larguan nga oborri i godinës. Nga aty, shkuan tek rruga e Kavajës, atje ku edhe banon Kasandra Cani. Edhe njëherë vajzat janë përplasur fizikisht me njëra-tjerën, derisa në një moment Kasandra Cani ka qëlluar me thikë motrat dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Por edhe pse u largua, Cani e njohur për postimet provokuese në rrjetet sociale, u vendos në pranga nga uniformat blu pasi akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “mbajtje të armëve të ftohta pa leje”.
Edhe dy motrat Vërlaku, po procedohen në gjendje të lirë, por sërish mbi to rëndojnë veprat penale: dëmtime me dashje dhe dhunim i banesës. Kjo sepse në momentin që i kanë shkuar në banesë, njëra prej tyre ka pasur një thikë dhe ka qëlluar Canin, ndërsa motra tjetër është futur për ti ndarë. Por po ashtu, edhe Cani ka marrë një thikë dhe ka qëlluar njërën prej vajzave, e cila aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, në orën 15:30, të datës 20.01.2025, bënë arrestimin në flagrancë, të shtetases K. C., 26 vjeçe, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Si dhe referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasen Xh. V., 24 vjeçe, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Dhunimi i banesës”.
Më datë 20.01.2025, në orën 02:34 të mëngjesit, shtetaset E. V., 22 vjeçe, dhe Xh. V., 24 vjeçe, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 për kallëzim, për një konflikt që kishin pasur me disa shtetase të tjera në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi personat e përfshirë apo mjetet e përdorura. Shërbimet e Policisë i kanë informuar ato mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të tilla dhe procedurat që duhen ndjekur. U është kërkuar të presin për marrjen e kallëzimit nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, por shtetaset janë larguar nga Komisariati në orën 02:38, pa përfunduar procedurën e kallëzimit.
Nga hetimet rezulton se, pas largimit nga Komisariati, shtetaset E. V. dhe Xh. V. (motra) dyshohet se kanë shkuar në banesën e shtetases K. C. dhe janë konfliktuar fizikisht. Gjatë këtij konflikti, shtetasja K. C. dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasen E. V., e cila aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Theksojmë se Komisariati i Policisë Nr. 2 ka ndjekur me përpikëri procedurat ligjore dhe ka qenë i gatshëm për trajtimin e rastit, dhe në asnjë moment nuk u është refuzuar marrja e kallëzimit. Kjo është e dokumentuar edhe me pamjet filmike të Komisariatit të Policisë Nr. 2, që tregojnë veprimet e punonjësve të Policisë dhe të dy shtetaseve dhe kohën e qëndrimit të tyre prej 4 minutash në Komisariat. Pas kësaj, ato janë larguar duke mos përfunduar procedurën e kallëzimit.
Deri më tani nuk dihet shkaku i përplasjes mes vajzave që ishin shoqe me njëra-tjetrën, por nuk përjashtohet mundësia që arsyet e sherrit kanë qenë banale, të shtyra edhe nga fakti që të treja ishin nën efektin e alkoolit. Tashmë, pritet që të merret dëshmia e autores së plagosjes, e cila do të zbardhë më shumë detaje./ZËRI