Ditën e sotme, një punonjës i policisë së burgut 313 në Tiranë, u gjet i vdekur në banesën e tij.
Referuar raportimit të policisë, Genci Aliaj 48-vjeç, është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë rreth orës 11:00 në banesën e tij në rrugën “Shefqet Musarai”.
Për policinë deri më tani shkaqet mbeten të paqarta, por detajet e mbërritura në redaksinë e JOQ ALBANIA hedhin dritë mbi një tjetër ngjarje skandaloze, ku efektivët e policisë vetësakrifikohen për shkak të presioneve nga eprorët, ashtu siç ndodhi një muaj më parë me Oficerin e Policisë Gjyqsore pranë Komisariatit Rrugor Tiranë, Azbi Spahiu, i cili tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i 11 i një pallati në rrugën “Kongresi i Manastirit”.
JOQ ALBANIA ka mësuar se shkak për këtë akt të rëndë të ndërmarrë nga Aliaj, i cili ishte i divorcuar dhe jetonte vetëm, është bërë presioni që ai ka pasur nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, drejtori i Policisë së Burgjeve, Klevis Qose, dy figura të baltosura të drejtësisë dhe sistemit të burgjeve, por edhe drejtori i burgut Gentjan Lila dhe shefi i Policisë Dylber Nela.
E gjithë historia ka nisur më 12 shkurt, kur në qelinë e Ilir Metës, i burgosur te 313-ta, është kryer një kontroll i befasishëm gjatë kohës që ai po ndiqte Edi Ramën, live në rrjetet sociale.
Ish-presidenti Meta, më 12 shkurt, në orën 11:42, ka denoncuar publikisht në rrjetin e tij social, Facebook, kontrollin e befasishëm dhe të rreptë që është kryer ndaj tij por edhe qelisë numër 5, ku ai është akomoduar.
“Unë jam Ilir Meta, banor i qelisë Nr.5, i cili sot në orën 09:20 po hante mëngjes dhe po dëgjonte fjalimin e një skizofreni, i cili po fliste për standardet europiane që duheshin në fushën e drejtësisë dhe çuditërisht hapet qelia Nr.5 dhe më kërkohet të bëhet një kontroll i posaçëm, për të ndërprerë ngrënien e bukës, për të dalë përjashta. Pasi u bë kontrolli im i imët fizik i trupit, pastaj u bë kontroll i imët për gati 20 minuta në të gjithë qelinë, përfshirë edhe frigoriferin, që nuk kishte ndodhur asnjëherë, por ndodhi rastësisht besoj gjatë fjalimit të këtij skizofreni që fliste për standardet e drejtësisë, për standardet europiane, që i garantonte partia e inceneratorit që nuk ekziston dhe që vetëm Dumani nuk e shikon.”
Referuar burimeve, ai që ka marrë urdhërin dhe ka ushtruar kontroll në qelinë e Metës ka qenë Genc Aliaj, një polic i nderuar dhe respektuar nga të gjithë kolegët dhe ish-kolegët e burgut 313. Por pasi Meta, ka denoncuar publikisht këtë kontroll, Manja dhe Qose i kanë bërë presion drejtuesve të burgut 313, Lilës dhe Nelës, të cilët fajin se kanë mbajtur për vete por ia kanë hedhur Gencit.
Ky i fundit në gjendje të rënduar emocionale dhe me presione të vazhdueshme nga eprorët, ka kërkuar leje për disa ditë. Por duke qenë se mizoria e eprorëve në të tilla rastesh është më e madhe se gjithçka, leja nuk është miratuar dhe Genci është detyruar të dorëzojë raport si i sëmurë për të qëndruar në shtëpi, larg dhunës së vazhdueshme psikologjike.
Prej 5 ditësh ai nuk është paraqitur në punë dhe ditën e sotme i ka dhënë fund jetës me armë zjarri në shtëpinë e tij.
Ministri i Drejtësisë, ai që drejton një prej ministrive më të rëndësishme dhe me më shumë peshë, në vend që t’u dalë në mbrojtje vartësve të tij, që rrinë me muaj pa rroga e shpërblime, bëhet palë me Klevisin e burgjeve, për t’i shtypur edhe më tepër ato dhe hedhur mbi supe faje që s’janë të tyret dhe rrjedhimisht s’i përballojnë dot.
Ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm që krerët e institucioneve ose siç njihen ndryshe “kokat” tentojnë të fshehin me kërcënime e presione, gabimet, qokat apo gjobat e tyre.
JOQ ALBANIA brenda pak kohësh ka arritur të zbulojë dhe të hedhë dritë mbi disa ngjarje të rënda që Policia e Shtetit i ka mbajtur fshehur për shkak të lidhjeve, marrëdhënieve me krimin dhe të përfshirët në ngjarje të tilla.
JOQ ALBANIA ishte e para që zbuloi skandalin e fshehjes së autorit të dytë në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi ky autor ishte djali i një oficeri në Byronë Kombëtare të Hetimit, por Policia, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha madje edhe kryeministri Edi Rama e përgënjeshtruan me të madhe deri në kufijtë e kërcënimit, që gazetarët të mos fusin hundët në hetime.
Ndërkohë që gjatë verës, JOQ ALBANIA ishte e vetmja që raportoi të vërtetën në vrasjen barbare të Egli Prodës në Pogradec, por sërish kokat e larta të Policisë për të mbuluar gabimet e tyre çuan për hetim dhe pezullan vartësit e tyre që punojnë për bukën e gojës, në verë e dimër pa marrë prej muajsh shpërblimet e rrogat që meritojnë.