“Çorbn derri” në menunë e drejtësisë. Kështu e ka quajtur kryeministri Edi Rama hetimin e prokurorit Ols Dado për Erion Veliajn. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e 105-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Tiranë. Rama tha se nuk do të lejojë që një prokuror të shpërdorojë detyrën duke shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve. Mesazhi ishte edhe për kreun e SPAK-ut Altin Dumanin, i cili ka firmosur çorbën e Ols Dados.
Më herët, Rama tha se prokurori i SPAK ka intimiduar dëshmitarët që janë thirrur gjatë hetimeve të kryera për Veliajn.
“Nuk ka më pse të mos i shprehim opinionet kritike. Heshtja jonë është keqkuptuar, jo vetëm nga armiqtë e reformës në drejtësi, por është keqkuptuar, më duket mua, dhe nga disa konsumatorë të reformës, të cilët përkundër privilegjeve shumë speciale që u janë dhënë nga reforma sepse sot kanë privilegje të jashtëzakonshme, në raport me të gjithë të tjerët. Flitet për pagat e deputetëve, por pagat e deputetëve nuk krahasohen me pagat e tyre, për shembull. Pra, këta konsumatorë, disa konsumatorë duhet tua kursejnë shtetit dhe shoqërisë çorbën e derrit në menunë e drejtësisë. Prandaj, besoj unë, ndarja me komunitetin nga sistemi i drejtësisë dhe njëkohësisht me publikun hapur, në mënyrë transparente e opinioneve kritike është gjëja më e dobishme që tani mund të bëjmë ne në këtë fazë të re për të mos lejuar që në emër të qëllimit tonë madhor të pavarësisë së drejtësisë nga pushteti politik, individë të caktuar t’i japin vetes të drejtën e shpërdorimit të detyrës së prokurorit apo të gjykatësit, duke shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve kushtetues.
Sot konstatojmë që jemi në një sfidë të re. Pavarësia e arritur duhet të garantohet nga profesionalizmi, standardet demokratike, prezumimi i pafajësisë nuk është një rresht që shkruhet për të larë gojën në një roman me 400 faqe, ku flitet edhe për persona që nuk kanë shfaqur pendesë. Për çfarë prezumim pafajësie flet ti kur shkruan se “personi nuk ka shfaqur pendesë”.
Kjo ka ndodhur, në një kohë tjetër, kur hetimet bëheshin me direktiva nga Sigurimi i Shtetit, për kriminelë ose njerëz që duhej të nxirreshin patjetër si kriminelë. Jemi në një situatë shumë delikate, jo për ne në aspektin politik, jo në raportin tonë me drejtësinë. Nuk na takon ne të themi nëse Erioni është i fajshëm apo i pafajshëm.
Në procesin e deritanishëm unë jam dëshmitar për intimidimin e personave. Janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia, jam çuar në një repart a rajon dhe aty më është folur për turpin që duhet të ndjeja, që po tradhtoja babain. Një njeri në atë hetim i është përmendur i ati që është punonjës në shtet, i është thënë mirë është ta nderosh babain. Ku jemi këtu? Kjo nuk ka lidhje me fajësinë ose pafajësinë e Erionit“, tha Rama.