Takimi me shqiptarët në New York nuk ishte arsyeja kryesore e udhëtimit të Kryeministrit Rama në SHBA. Ai e shfrytëzoi kritikën për të bërë propagandë dhe për të shijuar luksin personal.
Rama u shfaq në ndeshjen e basjketbollit të NBA, ‘New York Knicks’ kundër ‘Indiana Pacers’, duke shijuar luksin e uljes në reshtin e parë, me bileta që mund të kushtojnë deri në 8 mijë dollarë. Asnjë informacion për shpenzimet e tij nuk është bërë transparent. Ndërkohë, kryeministri është i ftuar edhe në festën e ditëlindjes së Alex Soros.
Takimi i manipuluar me shqiptarët në SHBA
Për të krijuar iluzionin e një mbështetje të gjerë, Rama siguroi praninë e kryetarëve të bashkive dhe administratës shtetërore nga Shqipëria, të cilët u dërguan në SHBA për të mbushur sallën e takimit të tij në New York. Ndërkohë, shqiptarët në diasporë protestuan kundër tij, duke e sfiduar hapur, ndërsa patronazhistët e paguar nga qeveria siguronin mbështetje të simuluar në sallë.
Shqiptarët në diasporë e priten Ramën me protesta, duke shprehur zemërimin e tyre për qeverisjen dhe korrupsionin. Kryeministri pretendoi se drejtësia në Shqipëri është në rregull dhe se korrupsioni nuk ekziston, një deklaratë që bie në kundërshtim të plotë me realitetin. Një protestues madje arriti të hyjë në sallë dhe u nxorr jashtë me forcë, duke ilustruar qartë qëndrimin e Ramës ndaj kritikëve.
Organizatori i eventit përfiton tokë nga Rama
Takimi në New York përfshinte gjithashtu rolin e Ylli Ujkës, një organizator i afërt me Ramën, i cili është akuzuar për tjetërsim të 370 dynym tokë trashëgimie me ndihmën e kryeministrit. Sipas denoncimeve, Ylli Ujka ka përdorur lidhjet e tij me Ramën për të përfituar tokë nga trashëgimia familjare në mënyrë të padrejtë, duke tjetërsuar prona që i përkasin familjarëve të tjerë. Ky fakt dëshmon lidhjet e ngushta të Ramës me individë që përfitojnë personalisht nga këto takime, të cilat nuk janë të rastësishme, por të mirëplanifikuara për përfitim personal.
Luks, propagandë dhe transparencë që mungon
Vizita e Ramës përfshin gjithashtu pjesëmarrjen në festën e ditëlindjes së Alex Soros, djalit të miliarderit të Fondacionit Shoqëria e Hapur, me të cilin Rama ruan lidhje të ngushta personale dhe politike. Prioritetet e tij ishin të qarta: një axhendë private e përzier me interesat e elitave globale.
Pjesëmarrja e tij në këto evente luksoze tregon qartë se Rama e sheh diasporën thjesht si figurantë në propagandën e tij, ndërsa thekson rëndësinë e këtyre lidhjeve personale për përfitimet politike.
Transparenca e shpenzimeve të tij për këto udhëtime me charter, për ekspozitat e tij personale apo për pjesëmarrje në evente luksoze si kjo ndeshje basketbolli, ka qenë dhe mbetet një çështje e fshehur nga publiku. Një vit më parë, opozita kërkoi krijimin e një komisioni hetimor për të hetuar shpenzimet personale të kryeministrit, por ky komision u refuzua nga mazhoranca.
Kur do të trokasë drejtësia?
Të gjithë këto skenarë janë të njohur dhe të parashikueshëm: propagandë, mashtrime, dhe shmangie nga përgjegjësia. Ajo që ende nuk dimë është nëse SPAK do të ndërhyjë pas kësaj vizite të Ramës në SHBA dhe ta thërrasë për të dhënë shpjegime. Flitet se Rama mund të jetë personi kryesor që përmendet në telefonin e Monika Kryemadhit si “peshku i madh”.
Apo ndoshta, ashtu si në rastin e Erion Veliajt, drejtësia do ta anashkalojë përsëri? Sepse pavarësisht përfshirjes së emrit të tij në çdo aferë, duket se Veliaj ende po i shmanget vënies para drejtësisë.
Vizita e Ramës në SHBA dhe gjithë spektakli që e rrethoi treguan qartë përkushtimin e tij ndaj strategjive të zakonshme të propagandës dhe manipulimit. Kjo është tashmë një sjellje e parashikueshme për një lider që për çdo vizitë dhe deklaratë vazhdon të shmangë përgjegjësitë reale.
Nëse SPAK nuk ndërhyn as këtë herë, fasada e tij e mashtrimeve dhe lidhjeve të fuqishme do të vazhdojë të mbulojë realitetin e hidhur që shqiptarët përjetojnë çdo ditë.