Nuk kam problem me fisin LICI por…!”/ Safet Bajri FLET te Grida Duma: Ja pse në Shkodër nuk ka të fortë

Ka reaguar mbrëmjen e sotme ekskluzivisht për Top Story në Top Channel, Safet Bajri.

Në fjalën e tij ai ka treguar se nuk ka asnjë lidhje me fisin e Licajve dhe me Masakrën e Dobraçit.

Sipas Safet Bajrit gazetarët janë duke keqinformuar mbi fisin Bajri teksa raportojnë në media.

“Gazetarët e caktuar dalin dhe i citojnë Bajrat si grup kriminal. Nënën time 70 vjeçare e bënë grup kriminal, a jeni në vete ju?

Pasuria ime është e gjithë e verifikueshme, unë kam qenë në burg. Mendoni ju se të kisha unë pasuri do ma kishte lënë SPAK?

Grida Duma: Sa njerëz rreth teje janë të vrarë?

Safet Bajri: Vetëm xhaja dhe është plagos djali xhajës. Miq, shok asnjë.

Licajt nuk i kam njohur kurrë në jetë.

Babai im i ka njohur. Ata kanë një xhaje shumë të mirë dhe i ka mbajtur gjithë kohën, fëmijët janë rritur.

Mua më vritet xhaja dhe plagoset cuni xhajës. Xhaja 70 vjeç doli për të shitur dy bidona qumësht, djali xhajës mori 20 plumba dhe shpëtoi. Ku të mos dal unë me makina të blinduara.

Në Shkodër nuk ka të fortë. Në Shkodër ekziston të jesh sa më mirë me njerëzit dhe të shikosh familjen tende. Në Shkodër nuk ka të fortë. “- tha Safet Bajri.

Forcat RENEA ndërmorën një aksion blic orët e para të mëngjesit në lagjen Dobraç, në qytetin e Shkodrës, ndërsa efektivët kishin në duar kërkesat e SPAK për ekzekutimin e disa urdhrave arresti për ngjarje të ndryshme kriminale.

Siç u raportua edhe më herët RENEA ushtroi kontroll edhe në banesën e Safet Bjarit, por ky i fundit nuk ishte në banesë.

Mbrëmjen e sotme Safet Bajri ka ndërhyrë live në emisionin Top Story ku po diskutohej për këto zhvillime me panelin e të ftuarve, duke deklaruar se emri i tij po keqpërdoret dhe se nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale.

I pyetur se përse RENEA kryen kontrolle në banesën e tij, ai u shpreh se sa herë që efektivët kanë shkuar në banesën e tij, ai u ka vënë në dispozicion kamerat e sigurisë.

I përfolur për një konflikt të përgjakshëm me familjen Lici me pasojë disa të vrarë në atentate, ai tha se nuk ka pasur kurrë konflikte me këtë familje.

“Kur vjen policia, i jap USB e kamerave, nuk kam lidhje me asgjë, dhe sulmohet Safeti. Për çfarë? Ka ardh RENEA te banesa ime… në lidhje me masakrën e Dobraçit unë ua kam dhënë kamerat. Unë me atë familje nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”, tha ai.

I pyetur në lidhje me pasuritë e tij dhe nëse ka pasur sekuestrim, ai tha se çdo gjë është e verifikueshme dhe se nuk ka pasur asnjëherë sekuestrime.

“As OLF as kurrkush, unë kam bërë 13 vite burg, kam bërë 4 vite kam dalë i pafajshëm, kam bërë dhe 2 vite dhe prapë pastaj ma pushuan çështjen, 6 vite tërë jetën”, deklaroi ai gjatë ndërhyrjes në emision.