Biznesmeni i njohur shqiptar që jeton në SHBA, Elton Ilirjani, ka publikuar në Instagram një video emocionuese të Parashqevi Simakut teksa flet pas kaq shumë vitesh me Pirro Çakon.
Dyshja shkëmbejnë disa fjalë të ëmbla me njëri-tjetrin, ku nuk mungojnë as pyetjet personale.
Ndërsa Simaku surprizoi mbështetësit e saj duke thënë se tashmë është e lumtur që dramat në jetën e saj mbaruan.
Këngëtari Pirro Çako rrëfeu ekskluzivisht për Top Channel bashkëpunimin me Parashqevi Simakun në vitin 1988 për këngën “E duam lumturinë”.
Ishte viti 1988 kur Çako, ende në hapat e parë të karrierës, guxoi të kërkonte bashkëpunim me artisten më të dashur të momentit për këngën “E duam lumturinë”.
Kënga pati një rrugë të shpejtë dhe të pashmangshme drejt suksesit dhe në festivalin e 27-të të Këngës mori çmimin e parë.
Pas suksesit të arritur në atë vit, ai u shpreh se sërish ka tentuar ta kontaktojë këngëtaren, por pa sukses.
Tashmë që ajo është gjetur, Çako kërkoi publikisht një bashkëpunim me artisten, disa dekada më pas.
Pirro Çako: Jam përpjekur gjithmonë ta kontaktoj Parashqevinë. I kam shkruar, kam kërkuar. Kisha dëshirë të rrija me të, të diskutonim, që pas shumë vitesh të kujtonim të kaluarën. Por nuk e pata këtë mundësi sepse nuk m’u përgjigj asnjëherë. U gëzova shumë që ajo u rishfaq dhe shpresoj që tani gjërat të shkojnë mirë për të. Do të ishte një gjë shumë e bukur që Parashqevia të bënte një performancë, të bënim diçka bashkë nëse ajo do të vendosë vetë.