Artistja shqiptare Parashqevi Simaku, e cila u shfaq në një video në rrugët e New Yorkut si e pastrehë do të ketë mbështetjen e bashkisë së Kavajës, qytetit të saj të lindjes.
Kryetari i kësaj bashkie, Fisnik Qose lajmëroi publikisht se Bashkia Kavajë, Këshilli Bashkiak dhe i gjithë komuniteti kavajas, ka mundësinë dhe detyrën ta mbështesë siç i takon një artiste të madhe si Parashqevi Simaku.
“Parashqevi Simaku, është vajza nga Kavaja që me zërin e saj të artë ndriçonte kombin shqiptar në momentet e veta më të zymta! Ajo është një ikonë dhe një krenari e Kavajës!
Pasi pamë pamjet e transmetuara nga gazetari Blendi Fevziu, nuk më mbetet gjë tjetër veç se të lajmëroj publikisht se Bashkia Kavajë, Këshilli Bashkiak dhe i gjithë komuniteti kavajas, ka mundësinë
dhe detyrën ta mbështesë siç i takon një artiste të madhe si Parashqevi Simaku si dhe të tregojë mirënjohjen më të thellë për gjithë çfarë na ka dhuruar përgjatë viteve”, shkruan Qose, i cili thotë se “Kavaja është gjithmonë shtëpia e saj dhe do ta presë gjithmonë siç i takon një ikone të ndritur si ajo”.
Një video që po bën xhiron në internet ka shqetësuar jo pak mbarë opinionin publik, pasi shfaqet një grua e pastrehë dhe hidhen dyshimet se është legjenda e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jeton në SHBA.
Në video shfaqet një grua që identifikohet si “Simaku Nohfe” duke marrë ndihma nga një grup fëmijësh, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për Parashqevi Simakun.
Blendi Fevziu, i cili ishte nga ata që shpërndau videon duke kërkuar ndihmë për identifikimin e saj, thotë se tashmë e ka konfirmuar që bëhet fjalë për këngëtaren shqiptare. Ai thotë se është në kontakt me
avokatë dhe biznesmenë në SHBA për ta identifikuar dhe ndihmuar dhe shprehet se ajo largohet sa herë i afrohen persona të cilët i flasin në gjuhën shqipe.