“Mbante dorën në gjoks…”/ Dalin detajet nga kamerat, e dhimbshme çbënte në fund Martini

Verifikimi i komunikimeve pritet të hedhë më shumë dritë për bisedat konfliktuale në rrjete sociale

Emisioni “Inside Story” në Top Channel ka sjellë detaje të reja mbi vrasjen tragjike të Martin Canit, duke zbardhur dhe pjesë nga dosja hetimore e ngjarjes.

Referuar dosjes, grupi hetimor ka sekuestruar celularët e adoleshentëve të përfshirë në sherr, konkretisht Luis Meçjas, Martin Canit, Kledion Bejkajt dhe Marseld Sinës. Verifikimi i komunikimeve pritet të hedhë më shumë dritë për bisedat konfliktuale në rrjete sociale.

Pavarësisht akuzave dhe deklaratave kontradiktore, është fakt që siç zbuluam nga dosja hetimore, momentet fatale të goditjeve me thikë nuk janë fiksuar nga kamerat. Kjo, lë të hapur mundësinë e përdorimit të një thike të dytë në ngjarje apo të implikimit të ndonjë adoleshenti tjetër. Por, referuar kryqëzimit të marrjes dhe rimarrjes në pyetje të adoleshentëve, nuk ka të dhëna që të vërtetojnë se një person i dytë ka sulmuar me thikë veç Marios.

“Nga pamjet filmike në vazhdim, në orën 12:07 shihen personat e lartpërmendur duke vrapuar për në drejtim të rrugës që erdhën dhe konkretisht shtetasit Kingston Korbi ka në dorë një çantë shkolle, duke u ndjekur më pas nga shtetasi Armand Marku, shtetasi Martin Cani është duke vrapuar e mban dorën pranë gjoksit të majtë. Shtetasi Marseld Sina gjatë kohës që vrapon mban dorën e djathtë në xhepin e pantollave. Më pas shfaqet shtetasi Kledion Bejkaj dhe Luis Meçja duke vrapuar paralelisht, pas tyre është duke vrapuar shtetasi Mario Përlleshi. Në cep të pamjes duket shtetasi Klevis Tema duke ecur”- thuhet në dosje.

“Por elementet kyç janë deklaratat e personave qe kane dijeni për ngjarjen”-, u shpreh avokati Edmond Petraj për ngjarjen.

Bazuar relacionit zyrtar të çështjes kaq është fokusuar nga kamerat e sigurisë. Megjithatë policia reagoi sërish duke konfirmuar bindjen se nuk ka autor të dytë. Por, deklarata përmban një kontradiktë që bie ndesh me atë që thuhet në dosjen hetimore se në vendin e goditjes me thikë nuk ka kamera sigurie.

“Nga veprimet hetimore të deritanishme, veprime te cilat janë të bazuara në prova të pakontestueshme, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor. Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”- thuhet në dosje.