Audio tronditëse/ Prindërit hedhin akuza të rënda pas vrasjes së 14-Vjeçarit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një audio të regjistruar gjatë mbledhjes së prindërve dhe mësuesve në shkollën “Fan Noli”, pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani. Në këtë audio, një prind, i tronditur dhe i revoltuar, i kërkon llogari stafit të shkollës, duke ngritur akuza për neglizhencë dhe përgjegjësi për parandalimin e incidentit.

Prindërit e pranishëm theksojnë se autori i dyshuar i vrasjes kishte paralajmëruar shokët e klasës për ngjarjen, duke u treguar thikën dhe duke thënë: “Prisni sot se çfarë do të ndodhë”. Sipas tyre, konflikti mes autorit dhe viktimës ishte i njohur për drejtoreshën e shkollës, oficerin e policisë dhe mësuesen, e cila megjithatë i kishte dhënë leje autorit që të largohej pas orës së pestë, në dijeni të përplasjes që ai kishte me Martinin.

Prindi i revoltuar ngre shqetësimin se stafi i shkollës nuk kishte marrë masa për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit. “Përgjegjësia juaj është që ata fëmijë mos vinin as orën e pestë, as orën e gjashtë. Për atë zyshë duhet të merren masa, dhe për drejtoreshën dhe për oficeren,” thotë ai.

Në postimin e tij, Berisha pretendon se drejtuesit e shkollës kanë udhëzuar nxënësit të mos flasin me gazetarët apo të japin informacione për ngjarjen, duke shtuar se prapaskena të shumta rreth rastit po mbahen të fshehta.

Ky incident tragjik ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në shkolla dhe përgjegjësinë e institucioneve arsimore për të parandaluar konflikte të tilla fatale. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.