Ka ndërruar jetë aktivisti dhe profesori i njohur shqiptar, Sami Repishti.
I mbijetuari nga burgjet e komunizmit Sami Repishti lindi në Shkodër më 6 prill 1925. Pasi studioi për një vit në Firence të Italisë, u kthye në Shqipëri në vitin 1943. Ai u arrestua në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.
Ai u dënua me 15 vjet burgim, nga të cilat vuajti 10 vjet në burgun e Shkodrës dhe nëpër kampe pune të detyruar. Në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe 4 vjet më vonë, në vitin 1960 arratiset në Jugosllavi. Pas një viti, më 1961 shkon në Itali dhe më 1962 emigroi përfundimsiht në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë gjithë jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, Prof. Repishti pati një aktivizim të vazhdueshëm për çështjet e lidhura me shqiptarët.
Ai ka dëshmuar disa herë para Kongresit dhe ka përfaqësuar denjësisht komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit. Ai ka qenë prej kohësh udhëheqës i veprimtarive kulturore dhe politike të këtij komuniteti në SHBA.