Gjermanët që përfunduan në burg ishin aq të shumtë, saqë Ministrisë së Jashtme gjermane iu desh të ndryshonte rekomandimet e udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Deklaratat e rreme për arsyen e qëndrimit apo edhe një tejkalim i lehtë i vlefshmërisë së vizës, mund të çojnë në arrestim, ndalim dhe dëbim”, lexohet në faqen e internetit.
Nuk është një paralajmërim – siç ndodh për destinacionet problematike si Lindja e Mesme ose disa zona të Afrikës – por është më afër saj.
Disa qytetarë europianë – turistë, studentë, shkencëtarë – janë refuzuar në kufirin e SHBA-ve ose, më keq, janë dërguar në qendrat e paraburgimit për arsye që nuk janë gjithmonë të qarta.
Historitë
Një vajzë nga Gjermania, Jessica Brösche, 29 vjeçe, u ndalua për 46 ditë. Bashkëkombësi i saj, Lucas Sielaff, 25 vjeç, u mbajt në burg për 16 ditë.
Ai tha për “Spiegel” se u dërgua në qendrën e dëbimit “me një zinxhir rreth barkut dhe pranga në këmbë”. Edhe britanikja Rebecca Burke, 28 vjeçe, u arrestua për tre javë. Dhe në një mënyrë paradoksale.
Në kufirin kanadez – duke mbërritur nga shteti i Uashingtonit – asaj iu kërkua të kthehej dhe të plotësonte saktë dokumentet e vizave.
Por kur ajo shkeli sërish në SHBA, u prangos. Një studiuesi francez iu refuzua hyrja, sipas agjencisë së lajmeve, AFP, për idetë e tij.
Gjatë një kontrolli, telefoni dhe kompjuteri i tij u ekzaminuan dhe u gjetën kritika ndaj politikave të Trumpit ndaj botës akademike.
Shqetësimet
Linjat ajrore, kompanitë e menaxhimit të aeroporteve, agjencitë e udhëtimit dhe hotelet janë zyrtarisht optimistë.
Por në prapaskenë ka më shumë se pak frikë. Vizitorët kanë filluar të shqetësohen, disa vendosin të shtyjnë udhëtimin e tyre jashtë shtetit, të tjerë anulojnë rezervimet e tyre.
Tema “do të trajtohet në takimin e ardhshëm të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (organizata që bashkon aeroportet)”, parashikon Armando Brunini, CEO i Sea-s, kompania administruese e aeroporteve të Milanos në Itali, Linate dhe Malpensa.
Kompanitë e sektorit
“Rezervimet mbeten të qëndrueshme për momentin”, – thotë Carsten Spohr, CEO i grupit “Lufthansa”. “Ne nuk vërejmë një rënie të konsiderueshme të kërkesës për udhëtime në SHBA”, – shton Ben Smith, kreu i “Air France-KLM”.
Një zëdhënëse e “Scandinavian Airlines”, jep të njëjtën përgjigje. “Por nëse do të ndodhte një reduktim, në atë moment ne do t’i zhvendosim avionët diku tjetër”, – thotë CEO i grupit franko-holandez për “Corriere della Sera”.
Nga kompania “Swiss Air”, nuk tregohen shumë diplomatë: pushuesit zviceranë kanë filluar të shikojnë destinacione të tjera përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Udhëtimet e biznesit janë të qëndrueshme, ndërsa ato turistike janë në rënie.
Parashikimet
Dhe kjo mund të shihet edhe nga trendi i tarifave të avionëve, të cilët në tre javët e fundit kanë qenë dukshëm më të ulëta se mesatarja e vitit të kaluar ose mbeten të bllokuara përpara nisjes.
Sipas “Tourism Economics”, udhëtimet ndërkombëtare në SHBA do të bien me 5% këtë vit (kundër +9% fillestare për shkak të “politikave dhe retorikës përçarëse të administratës Trump”, me një humbje prej 64 miliardë dollarësh për sektorin e turizmit.
Flukset hyrëse
Të dhënat nga Departamenti Amerikan i Sigurisë së Brendshme – të analizuara nga “Corriere” dhe që lidhen me dy muajt e parë të vitit 2025 – tregojnë rënie të të huajve që hyjnë në SHBA krahasuar me dy muajt e 2024: -9.5% nga Italia, -6% nga Franca, -7% nga Gjermania krahasuar me -1.7% nga e gjithë Europa.
Me një kuriozitet të mëtejshëm në frontin italian: ulja – që vjen pas një shkurtimi të ofertës së fluturimeve – nuk është shumë e theksuar për kompanitë jo-amerikane (-2,1%), por e rëndë për ato amerikane (-24,5%). Ata që kanë shkuar në SHBA, duket se kanë “bojkotuar” transportuesit jashtë shtetit./ Corriere della Sera