Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur sot në një konferencë për media para gazetarëve, ku edhe këtë herë nuk ka kursyer akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
Por jo vetëm kaq, Berisha ka nxjerrë “live” edhe foton e bashkëshortes së Altin Dumanit, nga një drekë familjare teksa hedh akuza për Dumanin dhe lidhjet që ka me një person që është drejtor në Bashkinë e Tiranës.
Kjo është një ngjarje e paprecedentë, jo vetëm se familja e Dumanit është në mbrojte për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që merr kreu i SPAK, por edhe për publikimin e fotos së një gruaje që nuk është fytyrë publike.
“Ky është Dumani me bashkëshorten në ditëlindjen e vet, ku Klajdi poston këtë fotografi. Pra, vartësi i Erion Veliajt i uron burrit të kushërirës, Altinit, gëzuar 50-vjetorin e ditëlindjes së tij”, tha Berisha ndër të tjera teksa tregonte fotografin që ishte edhe gruaja e Dumanit.
Pjesë nga fjala e Berishës
Djali i dajës së bashkëshortes, Klajdi Meçaj, që unë i postova fotografinë, që është personi këtu me Edi Ramën, është drejtor në Bashkinë e Tiranës, ose ka qenë gjer së fundmi drejtor në Bashkinë e Tiranës, engjëlli mbrojtës i Erion Veliajt pranë Altin Dumanit.
Çfarë është ky Klajdi? Klajdi është kushëriri i parë i bashkëshortes së Altin Dumanit. Mediat e qeverisë kërkonin me çdo kusht ta zhvlerësonin këtë fakt se kjo nuk është gjë, kjo nuk është e vërtetë.
Tani BKH-ja dixhiale çon fotografinë tjetër shkatërrimtare, përfundimtare. Ky është Dumani me bashkëshorten në ditëlindjen e vet, ku Klajdi poston këtë fotografi. Pra, vartësi i Erion Veliajt i uron burrit të kushërirës, Altinit, gëzuar 50-vjetorin e ditëlindjes së tij.
Në qoftë se më parë kemi akuzuar Krajën si një njeri që bllokonte hetimet për 3 vite me radhë për arsye se kishte nipin dhe mbesën punonjës në Bashkinë e Tiranës, të paktën ai, për faqe të zezë, tre javët e fundit u detyrua të japë dorëheqjen.
Kurse Altin Dumani nuk i zbuloi kurrë lidhjet e tij dhe konfliktin flagrant të interesit që ka me Erion Veliajn nëpërmjet të dashurit kushëri, Klajdi Meçaj, kushëri i parë i gruas, drejtor në bashki.