Zbulohet skandali! Kush është drejtori “i paracaktuar” i RTSH, ushtari i bindur i Aurora Polos

“100 Vitrinat” e RTSH-së: Shpuza, thëngjilli i (pa)mbuluar i Aurorës

“100 Vitrinat” mund të jetë telenovela më e gjatë që mbajnë mend shqiptarët. Shumë shpejt, telefilmi i RTSH-së, kollandrisur nga dy ose tre individë që fatkeqësisht janë pjesë e institucionit, do futet i dyti në listë pas emrit të lartpërmendur.

E turpshme pafund që nga ikja e Pezës, emri i të cilit duket sa i afërt, aq edhe i largët, Aurora Polo arriti të thyejë çdo rekord (i japim Çezarit çfarë i takon) për padrejtësi të bëra në pak muaj, pa u marrë asnjë masë në këmbim dhe duke siguruar nga kjo, lirinë për të shënjuar fatin e RTSH-së sërish. Pa ditur të përcaktohet si fat i mirë apo i keq, por në këtë Tiranën tonë të vogël, që shumë njerëzve iu duket metropol, fjalët qarkullojnë me shpejtësinë e dritës – se era edhe e mban dorën kur vjen puna tek vrulli.

Me këtë vrull u mor vesh që Polo po lobon sa lart e poshtë për Jetmir Shpuzën si drejtor i ardhshëm i televizionit që mbahet nga taksat e shqiptarëve, për arsye shumë të thjeshta: Shpuza është shumë lehtë i menaxhueshëm nga Polo për shkak të afrimitetit ndër vite, pak nga ca pasione të fshehura si alkooli, pak nga dëshira për pushtet, dhe njëkohësisht, sic i para-përcaktohet edhe nga mbiemri, është shpuza perfekt për një të dështuar që do të qendrojë tashmë pas kuintave.

Shpuza dhe Aurora ishin dy emrat e vetëm që nuk plotësonin kushtet në garën e fëlliqur që u bë disa javë më parë, dhe ashtu siç u ka hije, po të vetëm u zgjodhën si kandidatët idealë për drejtor të RTSH-së, nga deluzionantët e Këshillit të vjetër Drejtues të televizionit. Tashmë, kafeve të metropolit të fshatit prej afro 29 mijë kilometrash katrorë, po qarkullon lajmi se Shpuza e ka të sigurt fitoren. Kjo, në një kohë që jo më larg se dje u shpallën emrat e kandidatëve për anëtarë Këshilli. Kjo, në një kohë që Shpuza nuk plotëson kushtet. Kjo, në një kohë kur Polo e nxjerr veten mjaftueshëm zbuluar se sa e ëndërron postin duke lobuar për shpuzën që pret të ndizet së shpejti.

Flasim natë e ditë për aktorët e politikës, se si pas apo në anë të vetes lënë gjithmonë emra që i komandojnë pa gajret. Por ka ardhur momenti ta pranojmë, që sa merremi me të mëdhenjtë, minjtë e vegjël të helmatisur si individët më lart, hedhin valle institucioneve më shumë të prekshme dhe të afërta me të gjithë ne. Drejtësinë e kërkojmë çdo ditë, po sa herë preken të mëdhenjtë, na vjen çudi, ndërsa për të vegjëlit, e kemi zakon ta kalojmë me shprehjen e famshme: “Eh, atë punë kanë ata…”

Mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve, Aurora Polo doli më e privilegjuara nga të gjithë. Nga Drejtoreshë e Komanduar, në ish-kandidate të përzgjedhur deluzivisht, tek përcaktuesja absolute e fatit të televizionit publik shqiptar. Ta gëzojmë Shpuzën, Aurorën dhe të gjithë rrjetin e produksionit të telenovelës më të madhe në vend, që padyshim meriton titullin: RTSH ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet – për këtë të fundit, përgjigja është një fjalë që mban erë shumë. Me Shpuzën në krye dhe Polon pas shpatulle, të paktën kaq e kemi të sigurt!