Një ngjarje tragjike tronditi qytetin e Gjirokastrës pasditen e sotme, ku një vajzë 17-vjeçare u dërgua pa shenja jete në spital.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, dyshohet adoleshentja i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banesë.
Familjarët e saj, të tronditur nga situata, njoftuan menjëherë urgjencën, por për fat të keq nuk mundi të bëhej asgjë për ta shpëtuar.
Situata bëhet edhe më alarmante nga një dëshmi ekskluzive që ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Sipas dëshmisë, vajza mund të ketë qenë viktimë e bullizmit nga bashkëmoshatarët dhe trajtimeve të papërgjegjshme nga disa mësues për shkak se gjendja e saj ekonomike nuk ishte e mirë dhe ndrojtjes së saj.
Një situatë e rëndë raportohet të ketë ndodhur ditën e sotme, kur një prej mësueseve dyshohet se i ka bërtitur para klasës, ndërsa vajza shpërtheu në lot. Në vend që të ndihmohej, situata u injorua.
I njëjti burim bën me dije se vajza është bullizuar që prej nisjes së gjimnazit.
Adoleshentja e ndjerë që shihni në foto quhej Ersa dhe ishte nxënëse e vitit të parë në gjimnazin ‘Siri Shapllo’.
Dëshmia e plotë:
Përshëndetje JOQ! Kemi një shqetësim të madh. Në gjimnazin Siri-Shapllo në Gjirokastër gjendja është degraduar fare! Sot ka varur veten një vajzë 17 vjeçe (viti i parë në këtë gjimnaz) shkak bulizimi nga kolegët e klasës dhe mësuesit!
Vajza bullizohej që nga fillimi i vitit shkollor deri më sot dhe asnjë prej mësuesve nuk bënte asgjë! Drejtori i shkollës përjashton nxënësit që mungojnë gjatë orëve të mësimit dhe nuk përjashton ata që hiqen si “te fortët” e asaj shkolle duke bullizuar të tjerët!
Vajza në fjalë ishte një vajzë e ndrojtur. Sot paradite një nga mësueset i ka bërtitur para klasës, vajza nisi të qante dhe as nxënësit dhe as mësuesja nuk reagonin. Për më tepër, rrinin dhe e shikonin sesi vajza ulte kokën duke qarë! Është turp sesi ka arritur niveli i arsimit në Shqipëri, ku mësuesin duhet ta kesh krah kur je një nxënës i ndrojtur dhe “te fortët” të ndëshkohen, por ndodh e kundërta!
Mesazhet që u kam dërguar janë nga grupi i klasës. Vajza quhej Ersa. S’kishte ekonomi të mirë dhe ishte vajzë shumë e ndrojtur. Asnjë nuk i dilte krah. Dhe në shoqëri nuk e afronte asnjë. Rrinte gjithmonë vetëm. Po ngacmohej gjatë pushimit mes orëve të mësimit dhe mësuesja që hyri në klasë iu doli në mbrojtje “te fortëve” të klasës. Dhe i ka bërtitur vajzës në fjalë dhe një vajze tjetër duke i quajtur fajtore.”
Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe dëshminë alarmante, JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Arsimit të hetojnë me seriozitet maksimal rrethanat e këtij rasti tragjik.
Policia e Shtetit duhet të zbardhë plotësisht ngjarjen dhe të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj kujtdo që ka kontribuar në situata të tilla bullizmi dhe neglizhence.
Ministria e Arsimit duhet të kryejë një hetim të thelluar për trajtimin e rasteve të bulizmit në shkollat e vendit, si dhe të mbështesë psikologjikisht nxënësit që mund të jenë viktima të këtyre situatave.
Ngjarje të tilla nuk duhet të kalojnë pa reagim. Shkollat duhet të jenë vende të sigurta dhe mbështetëse për çdo nxënës, veçanërisht për ata që janë më të ndrojtur dhe vulnerabël.
Ky rast duhet të jetë një thirrje për ndryshim dhe reflektim të thellë nga institucionet arsimore dhe shoqëria në tërësi.