Historia si ne filma/ 19-vjeçarja me foshnje 4 muajshe u vr* në Gërdec, dy prindërit e saj u v*tëvr*në të dy pas tr*gjedisë!

Një nga librat që na ka lënë pas i ndjeri Ardian Klosi quhet “Katastrofa e Gërdecit”. Pjesë nga ky libër janë botuar sot nga DITA.

Në këtë libër flitet edhe për Resmije Osmanin, 19 vjeç, e vdekur ditën e shpërthimit bashkë me 25 të tjerë.

Resmija kishte lënë pas një foshnje 4 muajshe.

Tragjizmi shtohet në rastin e saj sepse babai i Resmijes, Kujtimi, u vetëvra disa muaj pas vdekjes së të bijës, ndërsa nëna Tushe, u vetëvra tre vjet më pas.

E gjithë familja u shua nga ajo që ndodhi në 15 mars në Gërdec.

Vdekja e Resmijes ka qenë ndër më të tmerrshmet.

Shkruan Klosi: “…Tmerrin më të madh e panë ata që nuk vdiqën menjëherë, e si pakkush Resmije Osmani (Kranja nga i shoqi), edhe ajo 19-vjeçare, nëna e një foshnjeje 4-muajshe. Me shpinën krejt të djegur, si hoqi dhe rrobat e përfshira në flakë, Resmija arriti të rendë deri larg, u fut brenda një bunkeri, ku dhe i shterrën forcat. Ka ndenjur aty për 6 orë afër duke thirrur për ndihmë, derisa e kanë dëgjuar…

Pas peripecish të papërfytyrueshme në ambulanca e spitale, ku njëherë e deklaruan të vdekur e pastaj të ringjallur, u dërgua të nesërmen në një spital në Itali. Dha shpirt atje pas një agonie të gjatë më 12 prill 2008…”.

Jemi ngjethur e kemi ndjerë dhimbje shumë herë për Gërdecin. Në fillim, tronditja nga pamjet shokuese të momenteve të shpërthimit. Pastaj nga fytyrat e fëmijëve të vrarë. Më pas nga të sakatuarit në spitale. Jemi revoltuar nga mashtrimet e Sali Berishës, kemi ndjerë turp kur pamë thasët me lekë që zbrazeshin në tavolinën e Bashkisë për të konvertuar me para dhimbjen e familjeve të të vdekurve.

Na ngatërruan më pas në spiralet pa fund të gjyqeve që vetëm drejtësi nuk bënë. Pastaj u mësuam.. Shohim Berishën, Mediun, Ramën, ish-ministrat, ministrat… Qeshen ata: “Ne e kemi harruar, harrojeni dhe ju”.

Por atje nën tokën e Gërdecit, aty buzë autostradës ku kalojmë përditë, ka eshtra fëmijësh të vrarë. Fëmijë të tretur.

I ndjeri Ardian Klosi shkruan në librin e tij, pjesë të të cilit janë botuara nga DITA se “të gjithë që kanë punuar në Gërdec kanë qenë në skajin e mbijetesës”.

Ai zhvilloi takime me banorët dhe i intervistoi ata para botimit të librit:

“Më ka habitur tej mase mirësia e njerëzve që kam takuar, sinqeriteti, mikpritja. Të gjithë që kanë punuar në Gërdec kanë qenë në skajin e mbijetesës, që kanë pranuar të punojnë në ato kushte. Shumica e viktimave janë prej familjesh të ardhura ose nga fshatrat e Martaneshit, ose të Gramshit, krahina me bukuri të rrallë, por sot të braktisura, njerëz të mësuar me punë të rëndë e të ndershme, që ranë në kurthin e pagesave të shpejta e gjoja të sigurta në një fushë të minuar.

Shumica e të vrarëve janë vajza të reja, me fëmijë të vegjël ose në djep, apo dhe prindër të moshuar që kërkojnë të mbajnë në shkollë fëmijët e tyre. Pastaj të mitur si Flavio Deliu e Erison Durdaj, ata që s’patën kurrfarë lidhjeje e dijenie për bizneset e Albademilit me Ministrinë e Mbrojtjes.

Për hir të kujtimit të tyre dhe barrës që i bie çdo njeriu të vetëdijshëm në Shqipëri për të mos i harruar dhe për të ndryshuar gjendjen e shtetit ku jetojmë, më mbetet vetëm të kujtoj në fund thënien e një gazetareje amerikane: bashkëpunëtorja kryesore në krimin e korrupsionit është indiferenca jonë” – shkruan Klosi në pjesët e librit botuar nga DITA.

Më poshtë, 26 viktimat e Gërdecit (pati edhe vdekje dhe vetëvrasje të mëvonshme, ndërkohë që numri i të gjymtuarve përjetë nuk u saktësua kurrë):

Zelfi Sali Ahmeti lindur më 28.6.1956

Shqipe Dilaver Alhasa lindër më 13.8.1983

Roland Gëzim Alla lindur më 18.6.1987

Arben Selajdin Ase lindur më 10.2.1967

Jetmir Sali Ballazhi lindur më 29.2.1988

Hysen Abaz Cani lindur më 10.5.1957

Bukurije Bektash Cani lindur më 30.8.1960

Shefki Ahmet Cani lindur më 5.4.1962

Besim Fadil Çanga lindur më 12.12.1957

Qemal Can Deliu lindur më 28.1.1961

Korre Ali Deliu lindur më 18.7.1960

Jetmir Qemal Deliu lindur më 13.11.1986

Liljana Ramiz Deliu lindur më 16.8.1983

Flavio Uran Deliu lindur më 3.8.2004

Erison Feruzan Durdaj lindur më 27.11.2000

Rajmonda Medi Durdaj lindur më 8.9.1974

Endri Mustafa Dvorani lindur më 25.1.1962

Azem Kadri Hamolli lindur më 20.8.1964

Hamet Laze Hazizaj lindur më 21.6.1944

Muhamet Ramiz Hoxha lindur më 11.6.1951

Zelie Shyqyri Kaca lindur më 23.7.1979

Rexhit Haxhi Kruja lindur më 28.11.1961

Nafije Selman Laçi lindur më 20.5.1971

Zelije Bajram Leti (Prini) lindur më 2.11.1988

Ilirjan Ndue Malçi lindur më 15.9.1963

Resmije Kujtim Osmani lindur më 23.8.1988