Shkodra do t’i japë lamtumirën e fundit tre viktimave të atentatit të një dite më parë. Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha humbën jetën ditën e mërkurë, pas atentatit të ndodhur në Dobraç të Shkodrës.
Por, ndryshe nga dy familjet e tjera, Bushati dhe Basha, familja e të shumë kërkuarit të drejtësisë, Ibrahim Lici nuk kanë hapur dyert e mortit për 23-vjeçarin.
Gazetari i Euronews bën me dije se familjarët e Hamza Licit kanë vendosur që të mos presin njerëz për ngushëllime në banesën e tyre.
Hamza Lici do të përcillet për në banesën e fundit në orën 16:00, ndërsa Arlind Bushati i cili la jetimë dy fëmijë të mitur, do t’i jepet lamtumira e fundit në orën 14:30.
Rreth orës 15:50 të ditës së djeshme (30 tetor), në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, 3 persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po qarkullonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Si pasojë e të shtënave humbi jetën në vendin e ngjarjes Hamza Lici, ndërsa 32-vjeçari u transportua në spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë për jetën. Prej orësh i riu po luftonte për jetën, mirëpo plumbi që kishte marrë në kokë rezultoi fatal për të dhe humbi jetën gjatë mbrëmjes së djeshme.
Deri më tani ende nuk është e qartë se kush ishte “shënjestra” e atentatit, Lici apo Bushati. Ngjarja e rëndë ndodhi në Dobraç të Shkodrës. Kjo zonë njihet në kryeqendrën e veriut si një lagje nën kontrollin e fisit Bajri, me në krye Behar Bajrin, i cili prej muajsh ndodhet në qeli. Ai njihet për hasmërinë e hapur me fisin Lici, në krye të të cilit është Ibrahim Lici, deri disa muaj më parë me vendndodhje në Turqi.