Gazetari Eraldo Harlicaj ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Shkodrën një ditë më parë.
I ftuar në Top Story ai ka treguar se dy djemtë e rritur të Anilës kishin vite që nuk flisnin me nënën e tyre dhe shkak për këtë gjë ishte bërë lidhja me 34-vjeçarin. Por me të marrë vesh gjendjen e nënës së tyre, po qëndrojnë krah saj në spital.
“Dy djemtë e rritur nuk kishin asnjë kontakt me nënën e tyre, kur morën vesh lidhjen që ajo kishte nisur, nuk i folën më. Ajo ishte ndarë nga ish-bashkëshorti dhe jetonte bashkë me djalin e vogël 9 vjeçar.
Dy djemtë e mëdhej sapo morën vesh ngjarjen, nuk i janë ndarë spitalit dhe po i qëndrojnë pranë bashkë me tezet e tyre. Por mjekët nuk japin shpresa për përmirësim, presin një mrekulli,” tha Eraldo Harlicaj.
44-vjeçarja Anila Prendushi mbeti e plagosur rëndë nga partneri i saj, 34-vjeçari Kolë Manaj, i cili pas sulmit vendosi t’i japë fund jetës. Prendushi, e cila punonte si psikologe dhe mbante e vetme familjen, u qëllua me plumb në kokë pas një debati me të dashurin e saj. Burime për mediat bëjnë me dije se 34-vjeçari i kishte dërguar viktimës një video ku, në gjendje të rënduar emocionale, e paralajmëronte për aktin e tij ekstrem.