Evi Kokalari ka bërë një reagim të gjatë në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo ngre dyshime pë vërtetësinë e situatës së fundit, ku këngëtarja e mirënjohur shqiptare Parashqevi Simaku shfaqet në gjendje të mjerueshme në rrugët e New York-ut, në Amerikë.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit:
“Ka shumë gjëra që nuk shkojnë me ‘shpëtimin’ e këngëtares këto ditët e fundit. Së pari, mund të më thoni kur është transmetuar ai segmenti në ABC News, sepse në rubrikën e tyre ‘Be Kind’ nuk rezulton se është, që do të thotë mund të jetë video e vjetër, ndoshta dhe e periudhës së Covidit.
Disa fakte që më bëjnë të kem pikëpyetje;
Videoja e dytë del të nesërmen që gazetari e bën publike të parën, por këngëtarja është e veshur krejt ndryshe, dhe kapelen nuk e ka njësoj. Nga dalja e videos së parë tek e dyta, fillon një angazhim për ta gjetur, dhe gazetari kontaktohet nga ‘biznesmenë’ në NY që thonë se kanë avokatët e tyre që e kërkojnë. E gjejnë të nesërmen, në Penn Station, po po, në të gjithë atë New York, skuadra ‘shpëtimi’ e gjen vetëm mbas 24 orësh. Dhe jo me avokatët e tyre por me ‘teten’ e lagjes. E filmojnë, pa pikë turpi i ofrojnë një buzëkuq, ‘merre – i thotë se është i DIOR-it’. Mendoja se vaniteti ishte virtyt i shëmtuar, por kur kjo e fundit ngatërrohet me injorancë totale, merrka forma të frikshme.
T’i kthehemi skenarit – del videoja e parë, bëhet virale, të nesërmen del videoja e dytë, ndërkohë ‘shpëtimtari’ jep një intervistë në TV shqiptare, pastaj e sistemon në hotel ku filmon çdo detaj dhe e shpërndan në mediat shqiptare, një darkë tek Milos Hudson Yards, ku ajo darkë ka shkuar mbi $1000 (më besoni për këtë), një peliçe kurrizit, një diamant në gisht, një përulje në tokë duke i puthur këmbët me përulje…
CUT!!!
Bëhet sërish virale, idiotët e dobishëm duartrokasin shpëtimtarin, heroin e tyre të ri, pa menduar fare në detaje por duke akuzuar komunitetin shqiptar në NY që s’kanë bërë asgjë më parë për këngëtaren.
Shpëtimtarin nuk e kam njohur më parë, madje për herë të parë e kam parë në fotot që ndante PR-i i tij këtu në NY. PR-i i tij është një grua dhe personazh mjaft i njohur në qarqet e atij rrethi të vogël në NYC, që mund të konsiderohet deri diku ekskluziv. Pra, shpëtimtari ka punësuar një nga PR-të më të mira në NYC, dhe e kupton rëndësinë e asaj që quhet ‘PR stunt’, që po ta shqipëroja siç duhet, do të thotë – të gjesh një ngjarje që bëhet virale dhe të ngresh profilin. Dhe kjo ngjarje, po më konkludon të jetë bërë në kurriz të këngëtares.
Disa javë më parë shpëtimtari ishte në Shqipëri, dhe për koincidencë, Fevziu e interviston solo, pra duke i dhënë një platformë për t’u shprehur për tema që janë akoma tabu në atë vend. Në fakt, Fevziu ka shokuar shumë shqiptarë duke e bërë videon e këngëtares virale, dhe fakti që bëri dhe një video pasuese me shpjegime, më thotë që ndërgjegjja nuk ia koncepton ku qëndron problemi në këtë rast. E vetmja mënyrë që mund të ketë pak sens këtu është nëse gazetari është paguar si për intervistën e shpëtimtarit disa javë më parë, ashtu dhe për ta bërë virale videon. Në fakt, është shumë e rëndësishme si do shpërndahej video, sepse kjo bën diferencën nëse ngjarja do bëhej virale apo jo.
Të shtoj dhe disa detaje që të kuptoni dyshimet e mia; Kam 30 vjet në New York, dhe e njoh komunitetin tonë. Kam pasur rastin ta takoj dhe këngëtaren dhe të flas me të kur ajo ishte në Kaliforni dhe sapo kishte lindur djalin. Në atë pikë e kam lënë të lumtur. Si unë, atë e kanë njohur të gjithë në këtë komunitet dhe e kanë respektuar. Dhe këngëtarja vetë, njeh të gjithë ata që në komunitetin tonë janë financiarisht shumë mirë dhe arrijnë të bëjnë ndryshime reale kur është nevoja, dhe nëse ajo do donte, do kishte kërkuar ndihmë. Ajo ndihmë do i ishte dhënë pa bërë zhurmë fare, në mënyrë që t’i ruanin dinjitetin ashtu siç e meriton. Nga ana tjetër më thonë që ndihma i është ofruar shumë herë më parë, dhe ka refuzuar. Problemi i këngëtares nuk është financiar, por shpirtëror. Asnjë nënë e ndarë nga fëmija nuk gjen dot qetësi. Këto janë hallet e saj reale.
Që halli i saj të shfrytëzohet në këtë formë, është realisht një mëkat dhe vetëm njerëzit pa shpirt mund ta bënin. Asnjë njeri me klas nuk do t’i kishte dhënë ndihmë ‘një dive apo idhullit’ të tij siç e cilëson vetë ‘shpëtimtari’, duke i cenuar dinjitetin në këtë formë. Siç e kam shkruar më parë, nëse vërtet donit ta ndihmonit, do e kishit bërë pa u ndjerë. Por ishte kjo vërtet për të ndihmuar këngëtaren, apo për të ngritur profilin tuaj?
Cilado qoftë përgjigjja, jeni gabim dhe shoqëria me të drejtë po ju gjykon” .