Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk ndodhet në Shqipëri. Burime për mediat bëjnë me dije se Ajola Xoxa prej ditësh është larguar nga Shqipëria dhe ndodhet në Itali.
Ajo ka fluturuar drejt Romës që në 8 shkurt dhe nuk është kthyer në Tiranë. Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi ndaj saj masën “arrest shtëpie”.
Por duke qenë se bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj nuk ndodhet në Shqipëri, si rrjedhojë dhe masa e sigurisë e caktuar ndaj saj nuk është ekzekutuar ende.
Kujtojmë se Erion Veliaj u arrestua mesditën e kësaj të hëne nga agjentet e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët zbarkuan në zyrën e tij për të ekzekutuar vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë “Arrest me burg”.
GJKKO me kërkesë të SPAK përveç masës “arrest me burg” për kryebashkiakun Veliaj, caktoi masën “arrest shtëpie” për bashkëshorten e tij, si dhe “detyrim paraqitje” për bashkëpuntorët.
GJKKO mësohet se ka dhënë “detyrim paraqitje” për Fatmir Bektashin, Sokol Kryeziun, Shkëlqim Fushën dhe Meriman Palushaj.
Dyshohet se biznesmenët kanë marrë tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës. Lidhur me këto masa priten më tepër detaje në vijim si dhe një reagim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.