Një notë diplomatike iu dërgua të gjithë institucioneve më të larta në Shqipëri nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Aty njoftohet ndërprerja me efekt të menjëhershëm e mbështetjes dhe fondeve, deri në një rishikim të dytë, pas Urdhrit Ekzekutiv të Donald Trump lidhur me ndihmën në vendet e huaja.
Ndër institucionet e larta që ka marrë këtë letër është edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), e cila ka pasur një mbështetje shumë të gjerë dhe të fortë nga administrata amerikane prej krijimit të saj, duke marrë ndihma si financiare ashtu edhe logjistike.
Lajmi gjithsesi nuk vjen i papritur dhe i paparalajmëruar, por është një fakt që sjell shqetësime të shtuara kudo në botë ku ndihma amerikane ishte e pranishme dhe për interesin e shqiptarëve, pa diskutim në Ballkanin Perëndimor.
Por, nëse i referohemi në veçanti SPAK-ut, si mund të ndikojë pezullimi i ndihmës amerikane për të paktën disa muaj dhe, a do të funksionojë Prokuroria e Posaçme pa frikë – siç ka treguar deri tani – për sa kohë nga partneri më i fuqishëm mund të mos ketë deklarata mbështetëse, apo aq më pak nderime për kreun e SPAK, Altin Dumani, me dekorata nga DASH-i?
Pikë së pari, duhet thënë se urdhri ka të bëjë në veçanti me financimet amerikane dhe me aspektin logjistik dhe jo me aspektin demonstrativ të deklaratave.
Përtej kësaj, SPAK gëzon një tjetër aleat të rëndësishëm si Bashkimi Evropian, ndaj, edhe nëse do të nevojiten financime shtesë, apo logjistikë, agjencitë e ndryshme të Unionit mund ta ndihmojnë Prokurorinë e Posaçme në këtë drejtim, me SHBA-të që kalojnë në një rol më pasiv.
Pesha gjithsesi mbetet e madhe në kushtet kur qëndrimet e amerikanëve janë shumë më të fuqishme se ato të evropianëve, duke përmendur fjala bie në veçanti përcaktimin e politikanëve të caktuar si “të padëshiruar” në tokë amerikane, me rastin par excellence atë të ish-kryeministrit Sali Berisha, aktualisht kreu i Partisë Demokratike.
Pra, është e qartë se boshllëkun logjistik SPAK mund ta plotësojë me partnerët evropianë, por qëndrimin e fortë amerikan, ndoshta jo.
Kjo gjithsesi duhet marrë me rezerva, sepse Prokuroria e Posaçme jo domosdoshmërish duhet të mbështetet nga Departamenti Amerikan i Shtetit me qëndrime diplomatike për të kryer funksione.
Makineria e shtetit amerikan i ndan frontet politike nga ato teknike dhe në këtë rast, SPAK mbështetet në dy zyrat më të mëdha të hetimit dhe spiunazhit në botë: CIA dhe FBI.
Sa i takon Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, CIA, lajmi i mirë është që një figurë tejet dashamirëse me shqiptarët është emëruar me ardhjen e Trump në krye të Agjencisë.