Edi Rama hodhi sot një re misteri mbi fatin e tij politik. Ai deklaroi se mund të mos jetë në listën e deputetëve në zgjedhjet e 2025-ës, duke e përshkruar veten si një “deputet i të gjithëve” dhe duke këmbëngulur se nuk do t’i “zërë vendin askujt”.
“Mund të mos jem fare në listë,” tha kryeministri, duke shpjeguar se nuk do që të “çorientojë njerëzit” me një garë që nuk e konsideron të nevojshme për veten.
Një deklaratë “fisnike”, padyshim! Por mes rreshtave, lind një pyetje e pashmangshme: nëse Rama s’do të jetë në listë, mos vallë s’do të jetë më as në zyrën e kryeministrit? Dhe nëse ai lë bosh karrigen, a mos po e shtron rrugën për dikë tjetër? Nëse ai vend lihet bosh, kush do të ulet në të?
Në politikë, boshllëqet nuk ekzistojnë. Dhe nëse kryeministri ka nisur të shohë horizontin përtej karriges së tij, a është koha që dikush tjetër ta shohë atë karrige nga afër? Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e pranishme gjithmonë në krah të Ramës, shpesh e përshkruar si e preferuara e tij në qeveri, a mund të jetë ajo që do ta zëvendësojë atë në zyrën më të rëndësishme të vendit?
Rama, me stilin e tij të njohur të të lënit pezull, nuk e tha qartë nëse po përgatitet për një dalje nga skena apo thjesht për një rikonceptim të rolit të tij. Por një gjë është e sigurt: nëse ai nuk e sheh të nevojshme të jetë deputet, a mos po na përgatit për një tjetër skenar ku edhe karrigia e kryeministrit do të ketë një emër të ri?
Nëse po, Belinda Balluku mund të jetë më afër se kurrë… thjesht duhet të presë që dikush ta thotë me zë të lartë. Dhe ai dikush, si gjithmonë, është vetë Edi Rama.