Kryeministri Edi Rama, në takimin për prezantimin e fituesve të startup dhe Startup Grant 2024, zbuloi edhe një bisedë me Mira Muratin.
“Biseda me Mira Muratin, me tha diçka që ishte e frikshme. Nëse për të kaluar nga iPhone 12 te 13 është dashur një vit, për të kaluar nga një gjë tek një gjë tjetër, AI do të duhet një ditë.
Çfarë është e re në mëngjes do të bëhet e vjetër në darkë. Deri këtu do të shkojë shpejtësia e transformimit.”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama thotë se përafrimi i legjislacionit të BE, do të bëhet me inteligjencën artificiale.
Gjatë fjalës së tij me fituesit e startup-eve, Rama u shpreh se me inteligjencën artificla, do zhvillohen edhe prokurimet publike, teksa shtoi se platforma e-Albania do kalojë në tjetër nivel.
“Ne kemi në punë modelin e AI, që bën trasnformimin e ligjit dhe atyre 250 mijë teksteve të BE, për të cilat, vendet e tjera para nesh, kanë punësuar një armatë, vendi ynë e bën brenda pak minutash. Kroacisë, vetëm kjo punë i mori 7 vjet. Ne po e bëjmë shumë shpejt, për 5-6 muaj do e kemi të përfunduar.
Po kështu, me prokurimet publike jemi duke punuar me Microsoft, për prokurime publike pa pjesëmarrjen e njeriut. Është një projekt shumë ambicioz. Ne po përpiqemi me Microsoft të bëjmë një model që e bën të gjithën, shpresojmë ta kemi deri në fund të 2026.
E-Albania do kalojnë në një tjetër nivel, ajo diella që del aty dhe flet, do e bëjë të gjithë shërbimin. Kjo do të realizohet me kërkesë, do i thuhet diellës dua këte, të gjithë punën do ta bëjë diella, asistenti virtual”, theksoi ai.
Rama tregoi disa të dhëna interesante nga një audit për platformën e-Albania. Sipas kreut të qeverisë, 620 milionë euro janë kursyer në total nga shërbimet që janë bërë online përmes platformës.
“Pashë një audit, marrë një grup ekspertësh që të bënin një audit analitik për çfarë ka ndryshuar platforma e-Albania në jetën e shqiptarëve. Dhe më mbetën në mend 3 të dhëna, e para që nga platforma janë kursyer shqiptarëve 620 milionë euro në total që përndryshe do t’i kishin harxhuar për të marrë shërbimet që kanë marrë në këto vite. E dyta, janë kursyer 75 mln fletë letre që nuk është pak. E treta, më domethënësja, koha e kursyer 25 mijë rrotullime rreth Tokës”, tha kryeministri.