Gëzim Muçaj është 28-vjeçari i aksidentuar për vdekje mëngjesin e ditës së sotme në autostradën Tiranë-Durrës.
I riu humbi kontrollin e automjetit me të cilin po lëvizte dhe u përplas me trafikndarëset. Ai bashkë me 3 pasagjerët zbritën nga makina për të parë dëmet, por në këtë moment u përplasën nga një automjet tjetër që po lëvizte në po të njëjtin aks.
28-vjeçari i cili ishte nisur për punë humbi jetën direkt në vendngjarje, ndërsa 3 pasagjerët, kolegët e tij, mbetën të plagosur rëndë.
Gëzimi punonte me mjetet e tonazhit të rëndë dhe ashtu siç kishte emrin ishte për familjen e tij. Ai kishte lindur pas 6 motrave dhe për këtë gëzim të madh që i solli familjes Muçaj, por edhe gjithë Zall-Bastarit, prindërit ia vendosën emrin Gëzim.
I riu jetonte në Kamëz dhe më parë ka punuar edhe si faturino për autobusët e kësaj linje.