Këngët që qarkullojnë në Youtube, të cilat kanë si interpretuese në skenë artisten e mirënjohur Parashqevi Simaku kanë gjeneruar në total deri në 1 milion euro, por që janë vjedhur nga llogari të ndryshme të pa verifikuara.
Drejtori i Acromax Media, Aldor Nini në një intervistë për Vip Magazine, deklaroi se ka shumë palë të treta që kanë hedhur në Youtube materialet që ka kënduar artistja duke gjeneruar deri më tani deri në 100 milionë klikime.
Sipas Ninit, të gjitha të drejtat e këngëve të Simakut, i takojnë RTSH-së, që është edhe entiteti i vetëm që mund t’i publikojë zyrtarisht këto materiale artistike.
“Youtube paguan për atë që prodhon videon dhe atë që prodhon audion. Këngëtarja në fjalë si interpretuese, të ardhurat duhet t’ i marrë nga agjensitë kolektive. Nga Youtube ajo nuk mund të marrë asnjë të ardhur. Ka palë të treta që nuk kanë të drejta që e kanë marrë këngën dhe e kanë hedhur në Youtube.
Të gjitha të drejtat e këngëve janë të RTSH-së. Ai është entiteti që mund t’ i publikojë zyrtarisht. Pasi është pronar i pjesës vizuale dhe të audios. Janë disa këngë që janë hedhur. Ka video deri në 700 mijë klikime. Në total mund të jenë 100 milion klikime. Mund të jenë bërë diku te gjysmë milion deri në 1 milion euro me këngët e saj në total, që janë hedhur nga palë të treta”, deklaroi Aldor Nini