Vritet me armë zjarri deputeti i rajonit separatist të Gjeorgjisë të mbështetur nga Rusia, Abkhazi.
Deputeti Vakhtang Golandzia u qëllua me armë zjarri brenda ndërtesës së parlamentit, njoftoi shërbimi për shtyp i presidencës së rajonit sot. Ndërkohë mësohet se një tjetër deputet ka mbetur i plagosur në dorë.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Abkhazisë, Apsnypress, raportoi se ministria e brendshme identifikoi një deputet tjetër, Adgur Kharazia, si të dyshuar të ngjarjes.
Nuk dihet ende arsyeja e të shtënave në parlament, shkruan Reuters.
Abkhazia u zhyt në krizë muajin e kaluar kur protestuesit sulmuan parlamentin në kundërshtim me një marrëveshje investimi me Rusinë, duke detyruar presidentin e rajonit, Aslan Bzhania, të japë dorëheqjen. Nënkryetari i tij, Gunba, u bë udhëheqës i përkohshëm.
Abkhazia e vendosur në bregun e Detit të Zi, u shkëput nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990.