“E vranë apo vrau veten?!”, sekondat fatale të djalit të Kadri Hazbiut natën e 28 janarit 89

Përballë versionit zyrtar sipas të cilit Agron Dauti u vet shpërthye me dinamit në thellësitë e galerisë, flitet se u asgjësua nga të tjerët. Ka madje që e adresojnë krimin sa te punonjësit e sigurimit, aq edhe te njerëzit që provuan penalizmin e të atit të tij në kohën kur bënte ministrin e Brendshëm…

Shkëlqeu në fillimet e tij si futbollist, duke u bërë një nga protagonistët e trofeve të Dinamos, por më pas e ndoqi fatkeqësia e dyfishtë. U detyrua të lërë përdhunshëm fushën e sportit dhe t’i nënshtrohet përndjekjeve politike, për tu bërë në fund viktimë e një vrasjeje misterioze, që ka mbetur e pazbardhur…

Pjesa e Parë

Agron Dauti ishte djali i vogël i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ai lindi në Tiranë, në prill të vitit 1959. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare “11 Janari” dhe gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, filloi studimet e larta në institutin e kulturës fizike “Vojo Kushi”, të cilat i përfundoi në vitin 1980. Në vitin 1970-1972 mori pjesë në ekipin e para të rinjve të futbollit të Dinamos. Ndërkaq, pas debutimit në ekipin e të rinjve si mesfushor i djathtë në periudhën 1974-1978, bëhet pjesë e formacionit të ekipit të parë të Dinamos. Në periudhën 1979-1982 luan si titullar në të gjitha veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, ku shquhet për shpirt të lartë gare dhe frymë kolektiviteti. Specialistët e futbollit kujtojnë se Dautaj, bënte njëherazi shumë mirë mbrojtësin dhe mesfushorin e djathtë. Në kujtesën e tyre ka mbetur shembulli i një lojtari korrekt dhe një figurë e spikatur morale. Ndërkaq,ka qenë një nga protagonistët e trofeve të Dinamos, siç ishin ato të fituesit të Spartakiadës Kombëtare të Shqipërisë, të Kupës së Republikës në vitet 1978-1982 dhe titullit kampion në edicionin 1979-1980. Është dalluar sidomos në takimet ndërkombëtare të ekipit të Dinamos, siç ishte ndeshja me Ajax e Amsterdamit, Karl Zais Jena të Gjermanisë, Aberdin të Skocisë etj. Në vitet 1980-1982 ushtroi profesionin e mësuesit të edukimit fizik në shkollën e mesme Ekonomike në Tiranë. Më 18 tetor 1982, menjëherë pas arrestimit të të atit, internohet bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes në Kurbnesh të Mirditës. Nga tetori i vitit 1982 deri në janar të vitit 1989 punoi si ndihmës minator me tre turne në galeritë e minierës së bakrit. Më datën 28 janar 1989 vritet në kushte misterioze në një nga galeritë e minierës.

Nga Blloku në Tiranë, në galeritë e Kurbneshit

Ka shkëlqyer në fillimet e tij si futbollist, duke u bërë një nga protagonistët e trofeve të Dinamos, por më pas e ka ndjekur fatkeqësia e dyfishtë. Është detyruar të lërë përdhunshëm fushën e sportit dhe t’i nënshtrohet përndjekjeve politike diku në malësitë e Kurbneshit. Më tej do të bëhej viktimë e një vrasjeje misterioze, që do të mbetej e pazbardhur për vite me radhë…

Agron Dauti, djali i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, do ta përjetonte këtë metamorfozë teksa ëndërronte një rini të bukur dhe një jetë të thjeshtë. Ngjarja fund e krye do t’u përkiste viteve ‘80.

Për të rinjtë e asaj periudhe, ca më tepër për ata që kishin zgjedhur për skuadër të zemrës së tyre Dinamon, të papriturat e fatit të tij do të fiksoheshin në kujtesë, si një vegim i dhimbshëm. Djaloshi që suksesin në karrierën sportive nuk e mbështeti asnjëherë në autoritetin e të atit, si një nga krerët kryesorë të shtetit, do të humbiste gjithçka të emrit dhe prestigjit të vet, nga goditja që do t’i bëhej ish-ministrit të Brendshëm, si armik i pushtetit popullor dhe Partisë së Punës(!). Bashkë me kryqëzimin e të atit do të shkërmoqej edhe figura e shkëlqyer që kishte bërë Agron Dauti në radhët e ekipit të Dinamos. Pastaj heshtja ndaj vendimeve që mbanin siglën e luftës së klasave do ta fshinte nga biografia e klubit emrin e djaloshit, që fali rininë për fanellën e ekipit. E gjitha kjo vetëm se ishte djali i Kadri Hazbiut, ish-ministrit, që me sa akuzohej kishte tradhtuar Enver Hoxhën. Po cila është jeta e panjohur e ish-futbollistit të talentuar të Dinamos, djalit të ish-ministrit të Brendshëm, që la karrierën sportive në mes, i detyruar nga biografia politike? Nëpërmjet dokumenteve dhe intervistave me familjarë e bashkëkohës, me kolegë e bashkëvajtjesh, hidhet dritë në atë që la pas 30-vjeçari i martirizuar në galeritë e nëntokës. Si u angazhua me futbollin djali i ish-ministrit? Pse zgjodhi klubin e Dinamos? Si u lidh me titullarët e ekipit, kur ishte në fillimet e tij? Cili ishte roli i të atit në karrierën sportive? A i ofroi shanse e privilegje të qenit djalë i një zyrtari të rëndësishëm në konkurrencën sportive? Sa ndikoi te shokët me avantazhet që i jepte jetesa në Bllok, për t’i mbajtur afër e për t’i ndihmuar në zgjidhjen e shqetësimeve të ndryshme? Si u këput në mes karriera sportive pas arrestimit të të atit, ish-ministër i Brendshëm? Jeta në Kurbnesh dhe pasioni i fashitur, peripecitë dhe izolimi nga miqtë dhe të afërmit për tetë vjet. Si u bë minator me tre turne djaloshi i lindur e rritur në Bllok? Si u integrua në jetën e njerëzve të qytezës minatorë? Fejesa e shkurorëzuar me vullnetin e tij në Tiranë dhe ditë netët e ftohta në galeritë e Kurbneshit. Si e përjetoi fillimin e proceseve demokratike në ish-Lindjen evropiane dhe shpresa për t’u kthyer në gjirin e shokëve e të miqve në Tiranë? Dita e aksidentit dhe misteri rreth tij: Vrau veten apo e vranë? Pse kaloi në heshtje vdekja e tij dhe çfarë fshihej pas këmbënguljes zyrtare për ta motivuar atë si vetëvrasje? Ç’u bë me dilemat dhe versionet që thanë njerëzit ato ditë, sipas të cilave, Agroni nuk kishte vrarë veten?

Djali i ministrit që preferoi lojën në rrugica…

I lindur në kushte komode, si bir i një zyrtari të lartë, Agron Dautaj do ta zgjidhte shoqërinë përtej mureve të Bllokut. Jo pse nuk i pëlqenin fëmijët e kolegëve të të atit dhe mënyra e jetesës së tyre, por temperamenti i tij kërkonte një hapësirë më të madhe. Në miqësinë me djemtë e rrugicave të Tiranës do të gjente mjedisin, ku do të fitonte shumë gjëra për ta ndërtuar jetën jo në hijen e autoritetit të të atit, por në atë që do të arrinte vet. Ky tipar i Agron Dautit, përpara se të konstatohej nga shokët dhe miqtë e tij, do të vihej re nga familjarët, të cilëve kjo shkujdesje do t’u pëlqente, po do t’u sillte njëherazi edhe andralla. “Unë dhe Goni, – rrëfen Petriti, vëllai më i madh i tij, – kemi lindur në kohën që babai ishte ministër. Po nuk kemi parë ndonjë privilegj të veçantë, madje vet babai interesohej për të mos u mësuar të përkëdhelur. Ishte në dëshirën e tij që shoqëria jonë t’i tejkalonte kornizat e Bllokut. Me këtë merak përgjonte në mënyrën e vet sjelljet tona që fëmijë dhe futej me takt kur shikonte ndonjë gjë që nuk shkonte”. Petriti shton ndërkaq se Kadri Hazbiu, ashpërsinë karakteristike që demonstronte gjatë ushtrimit të detyrës, në familje e zëvendësonte natyrshëm, me përkushtim dhe dashuri të ngrohtë. Djali i ish-ministrit e mban për model mënyrën e sjelljes në familje të të atit, ndërkohë që shumë gjëra të të vëllait i vlerëson si përthyerje të karakterit të tij në sjelljet dhe personalitetin e Agronit. “I gjallë, entuziast, ekspresiv, i afrueshëm, modest dhe këmbëngulës, veçon Petriti disa nga cilësitë e të vëllait, që mendon se i pati dhuratë nga i ati. Gjithsesi, për Petrit Hazbiun këto janë thjesht gjëra të mjedisit familjar dhe nuk mendon se kanë ndonjë vlerë për opinionin, prandaj i ka qëndruar edhe larg medias. Për të, fëmijëria e të vëllait në shoqërinë e fëmijëve të familjeve të thjeshta të Tiranës, por sidomos ndeshjet e futbollit në fushat e improvizuara midis pallateve dhe shtëpive private, ka qenë diçka mbresëlënëse dhe e bukur. Në kujtesën e tij janë fiksuar sidomos pasditet e vona, kur Agroni kthehej në shtëpi me gjunjët e gërvishtura, që shpesh i mbulonte me dorë, që mos t’ia shikonte i ati.

Futbolli dashuri e parë, Dinamo shtëpi e dytë

“Agroni u dashurua me futbollin qysh kur ishte fëmijë”, kujton Petriti, i cili mban mend edhe 12 emrat e shokëve të lagjes me të cilët luante shpesh gjatë kohës së pushimit. “Mjaft prej tyre ishin nxënës të shkollës “11 Janari”, të cilët i kishte shokë klase, po kishte edhe të tjerë që jetonin në rrugën e “Elbasanit” dhe vinin e i thërrisnin gati çdo pasdite”, shton i vëllai i ish-futbollistit të Dinamos. Interesimit se a pyeste i ati për shokët e tij, Petriti i përgjigjet, se për asnjërin nga fëmijët Kadriu nuk ka ndërhyrë në zgjidhjet e tyre. “Babai vet ishte një tifoz i zjarrtë i Dinamos, shpjegon Petriti dhe e vetmja “ndërhyrje” ishte qetësia që kërkonte kur luante ekipi i zemrës së tij. Kjo me sa duket u bë edhe pasioni ynë. Që të vegjël i ngjiteshim nga prapa kur shkonte në stadium. Pastaj u bëmë të gjithë tifozë të Dinamos. Po Agroni shkoi më tej. Ëndërroi të bëhej lojtar i saj dhe ia arriti. Kjo padyshim e gëzoi jashtë mase babanë, që ishte ndërkaq krijuesi i Dinamos qysh në vitin 1950…”

Agron Dauti do të pagëzohej futbollist i Dinamos pas një rruge të gjatë në ekipet zinxhir të saj. Qysh në vitet 1970-‘72 debuton në ekipin e para të rinjve, për të vazhduar më tej në vitet 1974-‘78 me ekipin e të rinjve. Pas një ecurie të spikatur si futbollist me talent dhe perspektivë, në vitin 1978 thirret në ekipin e parë të Dinamos dhe prej fillimit mbeti lojtar titullar në formacionin e ekipit. Për të vllanë Agroni çoi te ekipi jo thjesht talentin dhe aftësitë e fituara për vite të tëra stërvitje, por edhe shpirtin e pastër dhe korrektësinë shembullore. “Po, mori shumë gjëra nga Dinamo”, shton Petriti, duke kujtuar solidaritetin vëllazëror dhe miqësinë me mjaft nga yjet e sportit shqiptar të atyre viteve. Sidoqoftë, Dinamo për Agron Dautin u bë si një shtëpi e dytë që e deshi me zemër, deri në fundin e jetës së vet…

Dinamoviti që i ktheu krahët Bllokut për futbollin

“Në fakt shtëpia jonë nuk ka qenë brenda Bllokut, por trajtimi i familjes gjatë kohës që babai ishte ministër bëhej njësoj si për udhëheqësit e tjerë”, thotë Petriti. Sipas tij, Agroni i rritur në shoqërinë e fëmijëve të thjeshtë të Tiranës do t’u nxirrte herë pas here telashe punonjësve të sigurisë, pasi gati çdo ditë do të futej në banesë me një duzinë shokësh. Ndërkaq, sa filloi rrugën e futbollit, u bë edhe vet mysafir i vilës së ministrit.

Dhe në fakt kështu ndodhi me të. Sa u pagëzua në ekipin e Dinamos zgjodhi për strehës qytezën e klubit, ku kalonte kohën më të madhe. Kishte ëndërruar shumë për t’u bërë pjesë e këtij ansambli dhe ndjehej i lumtur mes tij. “Në shtëpi, – shton Petriti, – vinte gjithnjë e më rrallë. Po edhe kur vinte, sillte ndonjë shok me vete. Po sillte edhe mjaft përjetime nga ditë qëndrimet mes sportistëve, për të cilat fliste me pasion. Nuk harronte ndërkohë të kërkonte ndihmën tonë për ndonjë hall të shokëve të tij, siç ishin rastet e sëmundjeve, apo ato të të drejtave të studimit për ndonjërin prej tyre…”

Një jetë disi e veçantë nisi për dinamovitin, që i ktheu krahët Bllokut për ëndrrën e vet, futbollin. Emri i mirë qysh në fillimet e karrierës sportive e sfumoi tagrin e djalit të ministrit, duke i bërë jehonë Gonit, që shkëlqente në mbrojtje dhe në mesfushën e “Dinamos”. Përtej kësaj, dinamoviti Dautaj do të behej idhulli i mjaft të rinjve, krahas futbollistëve të tjerë që shkëlqyen në fundvitet ‘70. Më shumë se kaq, djali i ish-ministrit të Brendshëm do të behej i njohur në rininë kryeqytetase për sjelljen korrekte dhe figurën shembullore që rrezatonte në shoqëri….

Më parë ishte Agroni, pastaj djali i ministrit

“Ai kishte emrin e tij dhe e mësoi veten të rritej vet në jetë. Para se të ishte djali i ministrit, ishte Agroni, që midis shumë ofertave për një degë speciale në universitet, zgjodhi atë të Kulturës Fizike”. Me këtë merak motra e Agronit, kërkon të korrigjojë diçka në punën e gazetarëve, të cilët sa herë bëhet fjalë për të citojnë togfjalëshin “djali i vogël i ish-ministrit të Brendshëm”. Më tej ajo mendon se jetëshkrimi i të vëllait, më shumë se nga familjarët, mund të zbardhet nëpërmjet mbresave e përjetimeve të shokëve të tij. Këtë bindje kanë edhe familjarët e tjerë. Petriti ndërkaq të shpalos një listë të tërë me emra të njohurish e miqsh të tij, të cilët edhe sot kanë mbetur mysafirë të familjes së tyre. Për të Mujo Targa, Kreshnik Çipi, Ilir Përnacka, Shkëlqim Skifteri, Iliaz Çeço, Agustin Kola, Arben Vila, Halit Gega e dhjetëra të tjerë, nuk ishin thjesht të njohur e shokë të Agronit, por edhe miq të familjes së tyre, që nuk i shkëputën në asnjë rrethanë lidhjet me të. “Të nisesh për te jetëshkrimi i tij, duhet patjetër të kalosh nga ta”, shton e motra, që ngazëllehet menjëherë sa i kërkon të të rrëfejë për jetën e të vëllait, që nuk jeton më. Fakti që Agroni nuk e përdori asnjëherë emrin dhe autoritetin e të atit, për të është një vlerë domethënëse. Gjithsesi, motra ndihet tërësisht e brengosur, që vitet e internimit dhe ditët e kontrolleve policore janë bërë shkak për t’u shfarosur fotografitë më të shumta që kishte me të vëllanë dhe familjen e saj…

Tifozi i Dinamos që shumëzoi vetveten në Kurbnesh

Ndodhi një ditë, që ish-futbollisti titullar i Dinamos të mbetej vetëm një tifoz i zjarrtë i saj. Agron Dautit, pas arrestimit të të atit, i qëlloi ta ndiqte ekipin e tij të zemrës nga bjeshkët e Kurbneshit. Internimi do t’i kushtonte jo pak ish-futbollistit titullar të Dinamos, duke e privuar nga shumë gjëra. Por për asnjë çast nuk do t’i veniste ndjenjën e dashurisë për ekipin, që e deshi me shpirt dhe i fali shumë gjëra nga vetja. I integruar rishtazi me shoqërinë e qytetit të vogël në veri, do ta rrezatonte dashurinë e vet për Dinamon edhe te shokët, me të cilët punonte në thellësitë e minierës. Dhe pak nga pak do ta zgjeronte rrethin e atyre që do ta ndiqnin në tifozërinë për skuadrën e kryeqytetase. Mjaft syresh mandej do të merrnin edhe rrugën për të ardhur në Tiranë, në ndeshjet e rëndësishme që kishte Dinamo. Ai, si gjithnjë, ishte destinuar ta shikonte vetëm në televizor, në një banesë të thjeshtë mes malesh. Këtë dhimbje të Agronit djemtë e Kurbneshit, në një farë mënyre, do ta kishin për privilegj. Ai do të bëhej protagonist i zhvillimit të garave e ndeshjeve sportive, që do të gjallëronin jetën e qytezës minatorë…

Teksa u kthehet këtyre përjetimeve të dhimbshme, Petriti, vëllai i Agronit, kujton mënyrën e veçantë se si e ndiqte pasionin e tij të hershëm në kushtet e izolimit. “Për tetë vjet me radhë, – thotë ai, – Goni i bënte lejet e zakonshme vetëm kur kishte Kampionat Botëror ose Evropian, ndërkohë që të shtunave e të dielave ndërronte turnin me shokët, për të ndjekur Kampionatin Kombëtar të Futbollit”

Në pjesën e dytë:

Si mbërriti në galeritë e minierës së Kurbneshit futbollisti i Dinamos pas arrestimit të të atit? Fejesa e prishur pas dramës në familjen Hazbiu.

Si i mbajtën kontaktet dinamovitët e viteve ‘80 me shokun e tyre të internuar? Cili ishte roli i Shkëlqim Skifterit, nipit të Dervish Hatixhesë në vendosjen e lidhjeve të fshehta, Kurbnesh-Tiranë? Miqësitë e sinqerta të djalit të ish-ministrit me minatorët e galerive…(Vijon)/ Pamfleti
Ishte janari i vitit 1989 kur ndërroi jetë Agron Dauti, i biri i ish ministrit të Brendshëm Kadri Azbiu. Lajmin e morën vesh të parët familjarët që jetonin në internim në Kurbnesh. Pastaj tragjedia do të bëhej e njohur edhe për rrethin e gjerë të shokëve të tij. Fillimisht do të ndjehej tronditja për ngjarjen e papritur, mandej interesimi për rrethanat në të cilat ishte vrarë djali i ish ministrit të pushkatuar. Lëndimi do të kapërcente kufijtë e shtëpisë mes malesh e do të pushtonte një opinion të gjerë. Shumëkush që e pati njohur dhe adhuruar futbollistin e fillimviteve 80, do të tronditej nga lajmi tragjik, pa mundur të shkonte më tej në fatin e paracaktuar të familjes së të destinuar për të vuajtur si pjesë e “armikut të partisë e të popullit”. Dhimbja do tja linte vendin heshtjes dhe çdo gjë për vrasjen e djaloshit 30 vjeçar do ti destinohej hamendjeve të gjithëfarëllojta. Dhe Agron Dauti do të shkonte në banesën e përjetshme në prani të katër pesë të afërmeve dhe ndonjë të krisuri që kishte guxuar ti linte lamtumirën e tij shokut të afërt.

Kanë kaluar vite nga çasti mortor i saj përcjellje të dhimbshme diku në rrethinat e Kurbneshit të largët. Rrethanat e martirizimit të djaloshit që e deshi aq shumë jetën dhe sportin, kanë mbetur edhe sot ende të pa zbardhura. Dilema: “E vranë, apo vrau veten?” vazhdon të dominojë sensibilitetet e të gjithë atyre që e njohën dhe i lidhi puna me të. Përballë versionit zyrtar sipas të cilit Agron Dauti u vet shpërthye me dinamit në thellësitë e galerisë në kushtet e një goditje nervore, qëndrojnë me dhjetëra opinione të tjera që bëjnë fjalë për një asgjësim nga të tjerët. Ka madje edhe hamendje që e adresojnë krimin sa te punonjësit e sigurimit, aq edhe te njerëzit që provuan penalizmin e të atit të tij në kohën kur bënte ministrin e Brendshëm. Gjithsesi, misteri i dilemës vazhdon te lëndojë paqen e njeriut që ndërroi jetë kur ende ishte në lulen e jetës…

Petrit Hazbiu dhe paqja e lënduar e të vëllait

Petrit Hazbiu, i vëllai i Agronit është bërë i njohur në Tiranë së fundmi me studion e tij diku në rrugën “Myslym Shyri” ku projekton realitetet e nesërme të qyteteve shqiptare. Emri i mirë që ka krijuar si arkitekt, e mban të angazhuar mbi projekte për orë të tëra. Megjithatë kur troket te zyra e tij dhe i kërkon diçka për Agronin, ai shkëputet paksa nga puna, rrëmbushet nga ngazëllimi dhe fillon të tregojë për ato që ka përjetuar nga bashkëjetesa me të jo vetëm si vëlla, por edhe si një shok i mirë. E ka paksa të vështirë dhe hera herës mundohet të fshehë lotët që i rrjedhin prapa xhamit të errët të syzeve. Pastaj vjen një moment që biseda ngec si me komandë. Është pikërisht çasti kur ti i kërkon të të thotë diçka nga aq sa mban mend nga vrasja e të vëllait dhe rrethanat e saj. Aty Petriti është gati ta prish “kontratën e fjalës” dhe mblidhet në vetvete sikur ti kesh shkaktuar një gjë tronditëse. Teksa i kërkon arsyet e këtij reagimi, ai të kthehet me një mirësjellje të veçantë dhe me pak fjalë të bind natyrshëm për atë që thotë. “Agroni iku pa mbushur ende 30 vjeç. Iku i ri, plotë ëndërr e dashuri. Nuk duam tja lëndojmë paqen aty ku është! Më shumë se rit, këtë e kemi një pakt familjar, një vendim shpirtëror.” Me këto pak fjalë i vëllai i dinamovitit të shquar që nuk jeton më, të ka mbyllur çdo hapësirë për të rrëmuar ditvrasjen e Agronit. Për më tej, ai kërkon të të adresojë tek shokët e tij, me të cilët ishte pranë deri ditën e fundit. Dhe aty për aty të përmend emrin e Viktor Gjikolës, Luigj Gjinit, Gjergj Lucës, Nue Gjikolës, Shpresa Pepkolës…

Gjithsesi, Petriti është i vendosur në bindjen se i vëllai është interesant me jetën, me gjalljen dhe rininë e tij që pati një shkëlqim të veçantë.

Viktor Gjikola dhe konturet e një vrasjeje misterioze

Viktor Gjikola, ish minatori i dikurshëm i Kurbneshit, tashmë në pesion ka shumë kujtime për Agron Dautin. Për tek ai të adreson i vëllai i Agronit, që e veçon shoqërinë me të, sidomos gjatë periudhës kur punonin të tre në sektorët e vështirë të galerive të nëntokës. Ishte koha kur Viktori për çështje biografie do të mbetej poet i ndaluar, ashtu sikundër do të mbetej i burgosur talenti i Agronit për futbollin. Kjo ishte një arsye më shumë që i bashkonte në ato vite të vështira. Në bisedën me të të bën përshtypje një lloj detyrimi që ndjen për të rrëfyer të pathënat e vërteta, siç shpjegohet ai për djalin e shkëlqyer që mbriti nga Tirana në Kurbnesh dhe u bë miku i minatorëve dhe banorëve të tjerë të zonës. “Ishte njeri i shkëlqyer, i dashur, i afrueshëm, këmbëngulës dhe gjithmonë energjik, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme në të cilat jetonte”, shprehet përmbledhtazi Viktori që siç thotë e ka patur nga shokët më të mirë që ka njohur. Në këtë linjë me konsiderata e mbresa nga miqësia me Agronin, të cilat i ka ngulitur në kujtesë, Viktori vazhdon gjatë tregimin e tij. Madje diku këmbëngul për ta dëgjuar me vëmendje. Është një çast ku ai kujton dobësinë e Agronit për nënë Hedon, e cila ishte e sëmurë, me probleme serioze nga zemra. “Hedua për të ishte perëndia”, cilëson miku i ditëve të vështira i familjes Hazbiu, pa harruar të përmendë dashurinë e veçantë të Agronit për nipërit e mbesat që u detyruan për arësye politike të rriteshin jetim me prindër gjallë. Po rrëfimi i tij, ngec pikërisht kur biseda vjen te çasi fatal i janarit 89. Për Viktorin, njeriun e lidhur ngushtë me familjen Hazbiu, dilema “Vrau veten apo e vranë?!” është një mëdyshje që anon më shumë nga kjo e dyta. Megjithatë ai e vlerëson jo shumë të rëndësishëm këtë fakt, pasi cilado të ketë qenë mënyra e vrasjes së tij, tragjedia ishte produkt i sistemit antinjerëzor me emërtimin komunist. Nuk është ndodhur në ato çaste në vendin e ngjarjes dhe gjithmonë ka dyshuar në versionin e një vetëvrasjeje. Madje as tani pas 17 vjetësh nuk e beson që ai miku i tij të arrinte deri këtu. Këtë bindje e mbështet në argumente, që siç thotë, janë të patjetërsueshme. Dhe fillon ti rreshtojë në mënyrën e vet…

“E para, Agroni ishte një djalë me kurajë që edhe në kushtet më tronditëse, dinte të delte mbi to. E dyta, jemi në vitin 89 kur ishte konturuar pak a shumë tjetërsimi i sistemit dhe këtë Agroni e ndiqte me shumë vëmendje dhe shpresa. Nga ana tjetër, të gjithë ne që i kemi njohur marrëdhëniet e tyre familiare gjatë kohës së internimit, mbajmë mend kurajën që rrezatonte Agroni tek të tjerët. Dhe më kryesorja, ai ishte një njeri që e përbuzte aktin e vetëvrasjes në çdo lloj rrethane, madje shpesh kur qëllonte biseda për raste të kësaj natyre, ai e quante një lloj krimi.” Interesimit për të shkuar tek e vërteta, Viktor Gjikola i përgjigjet me shpjegimet që mund të ofrojnë njerëzit që kanë qenë atë ditë pranë Agronit. Këtu, me sa i kujtohet atij, mund të ndihmojë Shpresa Koleka (Pepkola) një nga ekonomistet e ish minierës që ka marrë vesh e para lajmin për vrasjen e tij. Për më tej, sipas mikut të ish futbollistit të martirizuar në minierë mund të ofrojë informacion ish drejtori i minierës Ndue Marku që duhet të ketë marrë vesh pa tjetër kushtet në të cilat ndodhi ngjarja makabre atë mbrëmje janari të vitit 89…

Shpresa Pepkola dhe tronditja e çasteve të para

Ajo ka qenë në zyrë në momentin e shpërthimit që mori jetën e Agron Dautit. Ka qënë nga të parat që është njohur me lajmin tragjik për vdekjen e tij. “Aksident në galeri, është vrarë Agron Dauti!”, kujton ajo thirrjen e një minatori të ri i cili sa kishte dalë nga hyrja e minierës që ishte afër zyrës së saj. “Ua, Goni, djali i Kadri Hazbiut!”, kujton Shpresa tronditjen dhe habinë e shoqeve të saj ato momente. Më tej tregimi i saj ka të bëjë me përjetimet e para pas ngjarjes fatale. “Ato momente të gjithë përmendnin vetëm fjalën aksident, shton Shpresa. Kështu flitej shpesh në raste të kësaj natyre. Fjalën aksident e dëgjova edhe gjatë një raportimi që u bë në telefon pak minuta më vonë. Vazhduan kështu çaste të tëra. Dikush u porosit për të lajmëruar Petritin, të vëllain që atë ditë ishte turn tjetër. Pastaj u dukën dritat e një gazi të Degës së punëve të Brendshme. Pas kësaj thanë se në galerinë ku kishte ndodhur shpërthimi ishin futur ekspertët. Ndërkohë kishte rënë nata. U larguam nga puna me dhimbjen që kishte shkaktuar vdekja aksidentale e Agronit. Të pakën deri në kohën që ishim aty e dinim se kishim të bënim me një aksident. Vetëm të nesërmen do të dëgjonim në zyrat e ndërmarrjes se ajo kishte qënë një vetëvrasje (!)” Teksa i kthehet kësaj retrospektive të dhimbshme Shpresa Pepkola, vajza nga Bregu që e ka kaluar rininë e saj në këto vise të largëta, të shpalos dyshimet e para që ka ndjerë në ndryshmin e cilësimit të ngjarjes nga aksident, në vetëvrasje. Ndërsa të rekomandon një takim me ish drejtorin e minierës të asaj periudhe, ka dëshirë të të jap edhe konsideratat e saj për Agronin, që siç e mban mend ajo, ka qënë një djalë i kulturuar, i sinqertë dhe shumë fisnik, pavarësisht kushteve teje të vështira në të cilat jetonte. “Një djalë i tillë, me një kurajë të spikatur nuk mund të arrinte kurrë në një akt të till fatal”, përmbledh ajo rrëfimin për njeriun që ka humbur jetën në minierë një ditë janari të vitit 89, në kapërcyellin e sistemeve politike në Shqipëri…

Drejtori Marku dhe “vetëvrasja” zyrtare

Ndue Marku ka qënë drejtor i minierës së Kurbneshit në kohën e tragjedisë së Agron Dautit. Është një tip i mbyllur dhe duket më serioz nga mosha që ka. Megjithatë bëhet shumë disponibël kur i kërkon diçka nga mbresat e tij për Agronin. “Ata ishin dy vëllezër që filluan punë me turne në minierë menjëherë sa mbritën në Kubnesh” tregon ai, “Të dy djem të qetë e të edukuar. U integruan me dinjitet në shoqërinë me minatorët dhe qysh në fillimet e punës fituan respektin e tyre.” Për ish drejtorin e Kurbneshit, fakti që ata nuk i kishin sjellë as shqetësimin më të vogël, madje ishin ndër punëtorët që tejkalonin vazhdimisht normën, ishte diçka domethënëse, pavarësisht “lëndës” që kërkonin fshehtas punonjësit e sigurimit për çdo detaj të jetës së tyre si dy nga fëmijët e “armikut të partisë e të popullit”. Më tej Ndue Marku ndjehet disi ngushtë kur i kërkon të dish diçka nga perceptimi i tij për ngjarjen tragjike të janarit 89. Rrëfimi i tij herë pas here merr profilin e një ndodhie që e ka mësuar nga të tjerët…

“Mbrëmjen që ka ndodhur ngjarja unë isha në shtëpi në Rrëshen. E kam marrë vesh në mëngjes. Në orën 3 pasmesnate trokiti në derë një nga policët e qytetit dhe më tha se ishte vrarë djali i Kadri Hazbiut. U gjenda në zyrë aty nga ora 7. Aty gjeta dhjetra hetues e policë dhe një dysinë ekspertësh që kishin mbritur nga Preokuria e Përgjithshme. Në të gjitha rastet e kësaj natyre ngjarjet ishin mjaftuar me ekspertizën e specialistëve të rrethit. Këtë herë porosia me sa dukej ishte dhënë për të tejkaluar profesionalizmin dhe besueshmërinë e tyre. Kjo ndoshta për nga specifika e emrit të viktimës. Me përfundimet e tyre u njoha sa mbrita. Bëhej fjalë për vetëvrasje në kushtet e një tronditjeje psikike. Më shumë se kaq, unë drejtori i minierës nuk mund të zbardhja version tjetër. Aty për aty dhashë urdhër për të marrë masat e nevojshme për të ndihmuar me aq sa kishim mundësi familjen. Ndërkaq, i pari që më trokiti në zyrë ishte i vëllai i Agronit, Petriti, i cili kishte me vete rrobat me të cilat do të vishte trupin e viktimës që atë moment e kishim sistemuar në një nga zyrat e minierës. Pasi e ngushëllova dhe i shpjegova rrethanat që kishin zbardhur ekspertët, dëgjova vetëm një reagim nga goja e tij: “Zoti drejtor, vëllai im nuk mund ta bënte kurrë këtë, madje ai me shpirtin që kishte nuk mund të therte as një pulë!”. E shoqërova për te trupi i të vëllait dhe komunikova me përgjegjësin e komunales për ceremoninë mortore…”

Kështu e kujton drejtori i minierës së Kurbneshit ditën e ngjarjes së 28 janarit 1989. Ai për çdo gjë i referohet ekspertizës zyrtare, që më shumë se aksident, e cilëson vetëvrasje. Megjithatë, drejtori, përtej pozicionit zyrtar, është njeri që jo për çdo gjë mund tu besojë letrave. “Më kanë munduar edhe mua dyshimet që dëgjoheshin nën zë atëherë, shton ai në mirëbesim. Madje, kam bërë edhe një lloj investigimi privat, duke u kthyer te njerëzit që kanë qenë dëshmitarë në ngjarje. Po deri tani nuk kam gjetur ndonjë argument të fortë që ta përjashtojë vetëvrasjen…” Të fundit që ka takuar vetëm para pak kohësh ka qenë Geg Lufi(Shkurti), i cili ka qënë në çastet e fundit në ball të galerisë me Agronin…

Nipi i Dervish Hatixhesë, miku i Agron Dautit

Teksa mjaft nga fëmijët e ish udhëheqëseve komunistë, e kishin vështirë të shoqëroheshin edhe me shokët e fakultetit, Agroni ndjehej mirë në miqësinë e njerëzve të thjeshtë. Duke veçuar këtë tipar të veçantë të tij, Mujo Targaj, tregon për një nga shokët e afërt të Agronit. Shkëlqim Skifteri, i njohur ndryshe edhe si nipi i dervish Hatixhesë, do të futej natyrshëm në shoqërinë e djalit të ministrit. Nëse nuk e lidhte profesioni i punëtorit të thjeshtë, shumë gjëra të tjera do të bëheshin preokupacione të përbashkëta në shoqërinë e veçantë të tyre. “Shpesh pas stërvitjes, apo ndeshjeve të ndryshme, tregon Mujua, Goni do të hidhte në supe çantën sportive dhe do të rendëte me biçikletë për tek lagjja e dibranëve. Shumë herë edhe do të flinte në shtëpinë përdhese duke çmuar fisnikërisë e të zotëve të saj. Çimi për Gonin ishte bërë një vëlla i dytë…” Më tej Targaj kujton rebelimin e mikut të Gonit pas internimit të këtij të fundit në Kurbnesh. Mjaft herë do të rendëte pas alkoolit dhe do të shprehte nëpër lokale çmendurinë e Enverit me familjen e Kadri Hazbiut. Kjo do ti kushtonte edhe ca kohë burg, shton ish futbollisti i “Dinamo”/s që ja ka pëlqyer shumë këtë vlerë interesante të karakterit të Gonit./Pamfleti