Ikja e parakohshme nga kjo jetë e ish-deputetit Andis Harasani nuk ka lënë një boshllëk vetëm te gjiri i familjes së tij, por te të gjithë, te kolegët dhe miqtë.
Të shumtë janë ata miq të ish-deputetit të cilët sapo kanë marrë lajmin e kobshëm për ndarjen e tij nga jeta kanë reaguar nëpër rrjetet sociale, duke e përshkruar Andisin si një njeri besnik, tironsin e mirë e djalin “danoç” i cili të rrallët i kishte shokët si vetja.
Një prej tyre ka qenë edhe aktivisti Genc Sejko i cili në llogarinë e tij në “Facebook” ka treguar për bisedën e tij të fundit me ish-deputetin.
Teksa i ka shprehur ngushëllime familjarëve për këtë humbje të madhe, Sejko shkruan se Harasani ishte qytetari i vërtetë, i cili pavarësisht sëmundjes së tij e cila po e shkatërronte nga dita në ditë, shqetësohej për të tjerët.
“Para disa muajsh një familjar i imi kishte postuar një foto me mua. Më shkuan në inbox Andis Harasani, ‘a je mirë’ më thotë ‘se dukesh i dobësuar’. Ky ishte Andisi. Një qytetar i vërtetë, që edhe pse ishte shumë i sëmurë vetë, interesohej për shëndetin e dikujt tjetër.
Andisi ishte nga brezi i fundit i deputetëve që me të vërtetë qëndronte për dicka. Ngushëllime familjes! Zoti e pastë në kujdesin e tij”, shkruan Sejko.