Bashkëpunimi i Taulant Ballës me bandën e Suel Çelës është një sekret publik, të cilin prokurorët e SPAK e kanë ruajtur me sa kanë mundësi, duke përjashtuar nga hetimi (deri më sot) lidhjet e bandës me ish-drejtuesin politik të Partisë Socialiste në Elbasan.
Megjithatë në faqen 171 të dosjes, që Lapsi.al e ka lexuar të plotë, ku janë zbardhur përgjimet nga SKY ECC, prokurorët kanë harruar të fshijnë një bisedë ku përmendet Balla dhe interesi që ka ai për të mbledhur vota në Elbasan nëpërmjet kriminelëve të Suel Çelës.
Komunikimi është mes Klaus Matishit, mik i ngushtë i Suel Çelës në njërën anë të telefonit me Megi Fetahun, vajza e gjyqtares Pajtime Fetahu. Në një moment kur është kthyer në shtëpi, e lodhur pas pune, gjyqtarja që i di lidhjet e vajzës së saj me bandën ka shprehur disa pakënaqësi, sepse ata nuk kanë qenë falenderues sa duhet për vendimet favorizuese në gjykatë.
Kur Megi Fetahu i thotë këtë pakenaqësi të së ëmës, Klaus Matishi i përbetohet për të kundërtën. Në një moment sinqeriteti, për të shpjeguar vlerësimin e veçantë që banda ka për gjyqtaren, ai tregon diferencën e saj me gjykatësit e tjerë dhe pushtetarët e Elbasanit.
Ndryshe nga të tjerët, Pajtime Fetahu nuk ka kërkuar asnjëherë para, por ajo ka ndihmuar për hir të miqësisë. Për të qenë I besueshëm ai tregon se gjykatësi Ben Vrioni merr “kafe”, ish-kryebashkiaku Qazim Sejdini e ka të qartë se fundoset bashkë me bandën dhe tjetri thotë “Balla na do për vota”.
Më poshtë pjesë nga dosja:
Ne orën 21.59 Klaus Matishi komunikon me Megi Fetah të cilën e bën me dije për konsideratën e veçantë që ka Marjus Lulaj, vetë Klausi dhe lidhjet e tyre për Pajtime Fetah.
Klaus Matishi: “…Ngjo mam ka ber shum per ne pervec tmires fakti qe na do dhe e dim qe e kemi njeriun ton aty na e thot trroc e bardha e bardh ezeza e zez vlen me shum se kafet respekti mamit dhe ndima mam nuk blihet me lek per kok tate shoku un e japim jeten per ate luft me ramen bejm pa mendu fare se ajo meriton shum e me shum esht nder te vetmit qe mundohet me shpirt per ne fhe na ndimon ok dhe boll me idjotsina…
Ti di cdo gie tonen ti kam then te rezultonna nji ta ndimoj se na do ?? O leket o interes balla na do per vota ben virioni fiton kafe landi mer leket ben sikur na do ndimon dhe katnaret me peshore ne dor kurse mam jot esht burrnesh dhe me njerez si mam sja kufi ska rezerva…Apo qazimi na ndimon se ka frik se po humem ne e di qe han karin. Cdo jeri esht me laps po nesjemi budallej…Ne i hym halleve pa shum lek pa shum mig me zemer ne hecim drrejt ne vrasim ballore jo me intrriga…Ato me shtet e miq jan me te fort se ne se kan gjith jeten me giygje ishin te pregatit jan me te fort se ne ni kte drejtim ne jemi ne drrejtimin e luftes me mtir se tqim ropt te qerojm zbejm lloge… Ato si mam jot kan shum miq ne srejtsi ne vetem mam tat kemi te drrejt e sinqert qe na do me shpirt qe shef miqsin jo interesin shuqe ajo sikur kurr mos bej me gje per ne te ne e ka vlersimin 1000000000…”
Biseda është bërë në vitin 2020, kur banda e Suel Çelës ishte në kulmin e fuqisë së saj, pasi kishte kapur në Elbasan gjykatat, prokurorinë, policinë dhe kishte mbështetjen e politikës. Në qarkun e Elbasanit, drejtues politik i Partisë Socialiste në atë kohë ishte Taulant Balla.
Biseda në SKY ECC e miqve të Suel Çelës: Balla na do
Pak ditë para zgjedhjeve në lagjen 5 Maji në Elbasan ndodhi një përplasje me armë ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Në vendin e ngjarjes ishin disa nga njerëzit e Suel Çelës që punonin për të mbledhur vota për partinë Socialiste. Taulant Balla rezulton të jetë sot deputeti më i votuar në parlament me 21591 vota./Lapsi.al