Të dyja gjenden në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty”, ndërsa historinë e rrëfen Aleksandra e cila është 14 vjeçe. Ajo tregoi se divorci ndodhi kur ajo ishte 3 vjeçe e më pas nëna u largua në Francë ku ndërtoi një familje të re.
Dy vajzat u rritën nga babai dhe gjyshërit. 7 vite pas divorcit, edhe babai krijoi një familje tjetër dhe me njerkën ato kanë një marrëdhënie mjaft të ngrohtë. Aleksandra tregon se e ka pasur shumë të vështirë ta pranojë këtë ngjarje dhe në moshën 12-vjeçare, u sëmur nga ankthi.
Njerka bëri çmos që të gjente nënën e tyre për të realizuar takimin e shumëdëshiruar nga vajzat. Me shumë dhimbje, Aleksandra tregon për takimin e parë që nuk shkoi siç e kishte pritur dhe atë që përjetoi si zhgënjim të dytë.
Aleksandra: Pasi kaluan 7 vite nga ndarja e prindërve, babi vendosi të krijonte një jetë të re me një grua. Gruaja e tij është sjellë shumë mirë me ne, kemi pasur dhe kemi marrëdhënie shumë të mira me të, na ka mbajtur njësoj si fëmijët e vet, na afron.
Ardit Gjebrea: Ju shkuar për të jetuar me babin dhe bashkëshorten e tij apo jo?
Aleksandra: Shkuam për disa kohë, por më pas ngaqë jemi lindur, jemi rritur aty dhe shkuam prapë te nëna dhe gjyshi.
Ardit Gjebrea: U kthyet me dëshirën tuaj apo?
Aleksandra: Jo, me dëshirën tonë. Edhe kujdestarinë e morën ata.
Ardit Gjebrea: Po babi çfarë tha?
Aleksandra: Babi donte shumë që ne të jetonim me ta, por ishte dëshira jonë që…
Ardit Gjebrea: U mësuat.
Aleksandra: U mësuam pastaj, shkuam të jetonim me nënën dhe gjyshin, babi vinte vazhdimisht me njerkën.
Ardit Gjebrea: Si e thërrisni ju?
Aleksandra: Ne e thërrisnim mami sepse për ne është bërë një mami. Ishte shumë e vështirë që unë ta pranoja për prindërit e mi. Unë edhe e kam vuajtur. U sëmura rëndë kur isha 12 vjeç, u sëmura rëndë sepse vuaja nga ankthi. Kur shkova në spital doktori tha që duhet të të shtroj se vuaja nga ankthi. Mami, njerka, e dinte shumë mirë se cila ishte ajo gjë që mua më brengoste ose më bënte të sëmuresha, ishte malli që kisha për nënën time. Njerka luftoi derisa ia gjeti numrin, folëm në telefon, na mundësoi komunikimin me mamin.
Ardit Gjebrea: Si ishte ajo herë e parë, e mban mend?
Aleksandra: Hera e parë që kur ajo na kishte lënë ishte një emocion i papërshkrueshëm. Nuk është se ishte një takim dhe aq i ngrohtë, nuk ishte një takim siç flet nëna me të bijën, por ishte një takim i ftohtë.
Ardit Gjebrea: Kur thua takim, takim telefonik apo takim fizik?
Aleksandra: Telefonik, më pas erdhi në Shqipëri, erdhi për të na takuar. Ka ndenjur këtu gati një muaj.
Ardit Gjebrea: Ndenjët përditë me të apo jo?
Aleksandra: Jo, vetëm një ditë se nuk largoheshim dot nga nëna dhe gjyshi t’i linim aty. Vetëm vinte e na takonte ndonjëherë. Kishte dy vajza që janë më të vogla.
Ardit Gjebrea: I takuat edhe ato?
Aleksandra: Po, i takuam edhe ato. Më pas vendosi të shkonte prapë në Francë te bashkëshorti dhe kemi folur pastaj vetëm një muaj, pastaj janë ndërprerë kontaktet, nuk donte të fliste më me ne.
Ardit Gjebrea: Pse?
Aleksandra: Nuk…tha “unë do të ndërroj numër dhe nuk do të flas më me ju”. Okej i thamë dhe u largua. Është ai momenti që të rikthehet prapë që unë e humba. Ishte momenti që unë u zhgënjeva për herë të dytë./tvklan.al