Një aksident tragjik u regjistrua pasditen e 12 shkurtit ku si pasojë u shua çifti i bashkëshortëve, Paulin Zefi dhe Zhaklina Hysi.
E sot, familjarët e 33-vjeçarit janë rikthyer në vendin ku dhe i riu humbi jetën duke vendosur buqeta me lule e ndezur qirinj.
Ata u kanë bërë thirrje autoriteteve që të marrin masa për aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, pasi shpesh herë janë bërë aksidente. Ndërkohë, xhaxhai i viktimës, është shprehur për mediat duke thënë se ky aks duhet të ketë të tjera standarde pasi përgjatë viteve të fundit çdo pjesë e kësaj rruge është përgjakur.
“Para dy ditësh kemi pësuar një humbje të madhe, kemi humbur nipin tonë Paulinin, bashkë me bashkëshorten. Gjej rastin të përshëndes të gjithë ata që kanë marrë pjesë në hidhërimin tonë, duke na ngushëlluar me mesazhe, duke na qëndruar pranë. Siç e shihni dhe ju, dhe në bazë të pamjeve që kam parë herë të tjera kam vënë re që kjo është një rrugë që i duhet kushtuar e gjithë vëmendja sepse shumicën e aksidenteve që kanë ndodhur në këtë segment rrugor shumica e aksidenteve ka qenë me pasoja të mëdha.
Duhet të venë një dorë të paktën sepse po shkojnë edhe drejt fluksit veror, është e pashmangshme që një veprim i gabuar i drejtuesit të mjetit të mos sjellë pasojën e rëndë. Lus Zotin dhe iu kërkoj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë normat e Kodit Rrugor se një veprim i gabuar prej tyre do të sjellë një pasojë të pashmangshme për ta, për familjen e tyre, por edhe një dhimbje që kurrë në botë nuk ka për t’u harruar. Ne sot që po flas jemi kthyer nga varrimi i dytë i nuses së Paulinit. Është policia ajo që ndan veprimet”, tha Sokol Zefi.
Aksidenti i rëndë u shënuar pasditen e 12 shkurtit, rreth orës 16:00 në aksin Lezhë-Shëngjin, pranë lagjes “Xhenjo”.
Automjeti me drejtues 33-vjeçarin Paulin Zefi u përplas me një kamion me drejtues një 25-vjeçar. Si pasojë humbi jetën në vendin e ngjarjes 33-vjeçari, ndërsa bashkëshortja e tij e cila ndodhej në automjet me të, ndërroi jetë një ditë më pas në spital si pasojë e plagëve të marra.