Në të gjithë Ballkanin, OPDAT ofron asistencë teknike për prokurorët e nivelit të lartë për rastet e korrupsionit të profilit të lartë
Rikthehen pranë SPAK dhe GJKKO ekspertët amerikanë, duke dëshmuar në këtë mënyrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj strukturave anti-korrupsion dhe kundër krimit të organizuar.
Për të paktën dy muaj u ngritën pikëpyetje lidhur me atë nëse SHBA do të vijonte ose jo mbështetjen ndaj SPAK dhe GJKKO-së, pasi një urdhër ekzekutiv i Presidentit Donald Trump ngrinte fondet dhe asistencën amerikane në të gjithë Botën, duke kaluar në ‘sitë’ projektet që financoheshin apo suportoheshin me grande amerikane.
Por duket se lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, SHBA do të vijojë të mbështesë jo vetëm strukturat në Shqipëri, porn ë të gjithë rajonin e Ballkanit, vendet Baltike, por edhe në Ukrainë, Bullgari, Rumani dhe rajonin e Mesdheut.
Rikthimi në SPAK dhe GJKKO i ekspertëve amerikanë duket se do të përshpejtojë proceset hetimore të strukturës së posaçme, veçanërisht në raport me korrupsionin. Janë disa dosje që konsiderohen të ‘nxehta’ në duart e prokurorëve të SPAK ku po zhvillohen hetime që përfshijnë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të niveleve të mesme dhe të larta, njerëz me imunitet ose të veshur me pushtet. Dhe referuar një qëndrimi zyrtar nga Departamenti i Drejtësisë duket se asistenca apo ndihmë ndaj prokurorëve specialë, veçanërisht në raport me luftën ndaj korrupsionit dhe pastrimin e parave do të jetë thelbësore.
Në një njoftim zyrtar nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, bëhet e ditur se “së fundmi, dhe në veçanti përmes programeve të tij rajonale për Ballkanin Perëndimor, Baltik dhe Mesdhe, OPDAT ofron asistencë të gjerë teknike të fokusuar në pastrimin e parave, shkeljen e sanksioneve dhe krime të tjera të sofistikuara financiare të lidhura me korrupsionin”.
Në qëndrimin zyrtar të Departamentit të Drejtësisë thuhet se lufta efektive ndaj korrupsionit është një kriter kryesor për procesin e anëtarësimit në BE.
“OPDAT zhvillon kapacitetin hetimor dhe prokurorial kundër korrupsionit të partnerëve në të gjithë Evropën dhe ofron asistencë në hartimin e legjislacionit për të forcuar kuadrin ligjor përkatës dhe për të siguruar përputhjen me kërkesat dhe konventat për të mbështetur bizneset amerikane.
Në Shqipëri, OPDAT luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen e një njësie të Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), e mbrojtur me kushtetutë, e pavarur dhe e verifikuar, e cila është përgjegjëse për hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë. OPDAT mbështeti gjithashtu një sistem rigoroz të verifikimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri për pasuri të pashpjegueshme, korrupsion ose lidhje me krimin e organizuar.
Në të gjithë Ballkanin, Baltik, Ukrainë, Bullgari, Rumani dhe Mesdhe, OPDAT ofron asistencë teknike për prokurorët e nivelit të lartë për rastet e korrupsionit të profilit të lartë”, thuhet në një deklaratë zyrtare. /Pamfleti/