Katër të rinjtë e aksidentit tragjik në Fushë-Prezë mes dhimbjes dhe lotëve u përcollën për në banesën e fundit pasditen e së enjtes. Enejdi Laçit, Erildi Laçit, Erikejd Kurtit dhe Andi Laçit iu pre jeta në mes në moshën më të bukur.
Ndërkohë së fundmi të tjera detaje janë bërë me dije lidhur me këtë aksident të rëndë i cili përpos familjarëve ka shkaktuar dhimbje te të gjithë shqiptarët.
Policia Rrugore ka zbardhur dinamikën e këtij aksidenti dhe referuar pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se automjeti “Benz” ku ndodheshin të rinjtë ka kryer parakalimin e dy kamionëve që lëviznin në rrugën Vorë-Fushë Krujë.
Më pas, pas parakalimit të rrezikshëm ata kanë hyrë sërish në karraxhatë kur dhe janë përplasur me betonierën e ndaluar në rrugë.
Lidhur me këtë ngjarje para grupit hetimor ka dëshmuar edhe shoferi i betonieres, 24-vjeçari Aleksandër Krrashi.
Ai ka bërë me dije se sapo ka hyrë në rrugën kryesore betonieria i është fikur pasi i kishte mbaruar nafta. Ndërkohë që është shprehur duke thënë se kishte harruar të ndizte bllokazhin e mjetit.
Sipas grupit hetimor mësohet se përplasja ka qenë e fortë dhe ka ardhur për dy arsye, për shkak të shpejtësisë së lartë dhe mungesës së fushë pamjes për shkak se mjeti ka parakaluar dhe nuk ka parë betonierën e ndaluar.
Në momentin e ngjarjes tragjike mjeti “Benz” ku udhëtonin katër të rinjtë ka qenë me shpejtësi rreth 170 km në orë, ndërsa gjatë lëvizjes kur dhe ka kryer parakalimin mund të ketë qenë me shpejtësi rreth 200 km në orë.