Dosja e CIA-s nxjerr zullumet e Sali Berishës, ja lidhjet e kreut të PD me Osama Bin Laden, iranianët, kinezët, Millosheviçin dhe qarqet greke kundër SHBA

Ky vit ka qenë viti më “i zi” i ish-kryeministrit Sali Berisha. Për herë të parë drejtësia shqiptare guxoi që jo vetëm ta hetonte, por dhe ta akuzonte personazhin që ka vite që me dhjetëra afera mbajnë emrin e tij, por asnjë “gjemb nuk i hyri në këmbë”. Berisha akuzohet se gjatë kohës kur drejtonte qeverinë, në periudhën 2005-2013, ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, proces i cili i siguroi Malltezit një fitim prej rreth 5.5 milionë eurosh. Por dosja “Partizani” është vetëm maja e ajsbergut, pasi akuzat për kreun e PD nuk kanë fund. Ky është fakt, pasi amerikanët janë shprehur se dosja e tij “non grata” përmban skandale korruptive që institucioneve amerikane iu është dashur vite që t’i mbledhin si prova.

Dosjet

Dosjet, dokumentet, rrëfimet dhe investigimet konfirmojnë se pas Millosheviçit, Sali Berisha mbetet kundërshtari i dytë më i përbetuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur Sali Berishën dhe familjen e tij non grata për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, në fakt fsheh diçka shumë më të rëndë, diçka që edhe vetë Lulzim Basha e ka konsideruar si të tmerrshme dhe që nuk mund të tregohet.

Sali Berisha ka bashkëpunuar me të gjithë armiqtë më të përbetuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njerëzimit, paqes dhe demokracisë në botë, duke nisur që nga terroristi më famëkeq i të gjitha kohërave, Osama Bin Laden, kokën e sulmit të 11 shtatorit, i ekzekutuar në vitin 2011 nga një skuadër elitë amerikane. Lidhjet e Berishës me Osama Bin Laden kanë dalë në pah nga dokumentet e CIA mbi veprimtarinë e Osama Bin Laden. Dokumentet e CIA janë bërë publike nga një sërë mediash prestigjioze dhe investigative, si nga “UashingtonnTimes”, “Qendra për Paqe në Ballkan”, “Historycommons”, apo dhe revista e inteligjencës “Jane”, të cilat u janë referuar dhe raportimeve të mediave të kohës dhe dokumenteve të Interpolit.

Raportet e CIA

Duke iu referuar informacioneve të dhëna nga një agjent i CIA-s, raportohet se në 9 prill të vitit 1994 Bin Laden ka udhëtuar në Shqipëri, si pjesë e një delegacioni të qeverisë saudite dhe është takuar me zyrtarët e qeverisë vendase. “Ai e prezantoi veten si mik të qeverisë së Arabisë Saudite dhe se mund të financonte projekte humanitare. Megjithatë, qeveria e Arabisë Saudite, më herët, po atë muaj kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me Bin Laden. Një ish-oficer i zbulimit amerikan do të ankohej në vitin 1999: ‘Pse ishte ai një anëtar i atij delegacionit? Sauditët supozohej të ishin aleatët tanë.

Ata na thanë se ai ishte person non grata, por këtu ai ishte në një vizitë zyrtare’”, thuhet në dokument, për të cilin ka raportuar “Uashington Times” në vitin 2001. Mediat ndërkombëtare, të cilat ju referohen informacioneve të agjencive të inteligjencës, por edhe raportimeve të kohës, kanë raportuar se që nga viti 1994 e deri më 1997 ka pasur një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe Bin Laden e grupit të tij, me qëllim ngritjen e celulave terroriste në vendin tonë.

Lidhjet me Iranin dhe qarqet greke

Krahas lidhjeve me Bin Laden, Sali Berisha akuzohet gjithashtu se ka nisur bashkëpunimin me organizatat ekstremiste iraniane në vitin 1992, përmes ushtarit të tij në krye të SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Berisha dhe Gazidede pajisën me nënshtetësi përfaqësuesit e organizatave iraniane. Gazidede kishte marrëdhënie të ngushta personale me shumicën e organizatave që ushtronin aktivitet në Shqipëri, duke qenë dhe kryetari organizatës së Intelektualëve Islamik të Shqipërisë, e cila financohej nga fondacione të huaja. Këto lidhje alarmuan CIA-n dhe FBI, të cilat zbarkuan në Shqipëri.

U desh rrëzimi i Berishës nga pushteti dhe arratisja e Gazidedes në Iran, që SHBA të godiste celulat në Shqipëri. Megjithatë, Sali Berisha, jo vetëm që nuk i ndërpreu lidhjet me Iranin, sot një kërcim i madh botëror, por i riaktivizoi këto lidhje pasi erdhi në pushtet në 2005. Dyshohet se përfaqësues të Iranit kanë lobuar fort tek zyrtarët grekë, tek Sali Berisha dhe tek të gjithë aktorët e tjerë me ndikim, për t’u bërë pjesë e projektit TAP që vjen nga Azerbajxhani në Evropë, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe duke dalë në Itali. Përfaqësuesit e CIA dhe FBI në Tiranë kanë qenë të angazhuar dhe shumë të shqetësuar për këtë flirt të Berishës me Iranin.

SHBA madje janë shqetësuar edhe për pazaret e Berishës me Greqinë, për shitjen e detit, duke anashkaluar amerikanët. Shqetësimi u reflektua nga rrjedhja e kabllogrameve që ambasada amerikane në Tiranë i dërgonte DASH. Kabllogramet tregojnë se si Sali Berisha është mbajtur gjithnjë nën monitorim.

Lidhjet me kinezët

Kundër amerikanëve Sali Berisha ka bashkëpunuar edhe me kinezët. Nuk bëhet më falë për burime të rezervuara, por për dokumente sekrete, ku amerikanët në Tiranë janë shprehur shumë të shqetësuar për flirtin e Sali Berishës me kinezët. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, në një kabllogram drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, thekson se Pekini e ka detyruar kryeministrit Berisha të prishë marrëveshje me SHBA për ujgurët e Guantanamos.

Në kabllogramin drejtuar DASH, Uidhers komenton vizitën e zëvendëskryeministrit kinez Zhang Dejiang dhe konfliktit me palën shqiptare për çështjen e pranimit të ujgurëve. Ish-ambasadori amerikan thekson se Berisha u tërhoq nga premtimi i tij për pranimin e ujgurëve, pas presionit të kinezëve. “Kryeministri Sali Berisha është shprehur i gatshëm të mikpresë gjashtë të burgosur të tjerë, por ka thënë shprehimisht se ata nuk duhej të ishin ujgurë. Presioni i Pekinit detyroi qeverinë shqiptare të rishikonte pozicionin”, thuhet në kabllogram.

Më tej, Uidhers përshkruan vizitën e zyrtarit të lartë kinez dhe marrëveshjet e nënshkruara. “Më 29-31 tetor, zëvendëskryeministri kinez Zhang Dejiang vizitoi Tiranën dhe u takua me kryeministrin Sali Berisha, kreun e shtetit Bamir Topi, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta. Qëllimi i vizitës ishte për të forcuar bashkëpunimin në fushën ekonomike. Vizita kishte dy qëllime; për të përkujtuar 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe për të krijuar “Një rrugë të re përpara”. Për këtë qëllim, të dy palët nënshkruan gjashtë marrëveshjeve, tre ndërmjet qeverive dhe tre në mes të firmat private”, thuhet në kabllogramin e Uidhersit.

Berisha bashkëpunim me Millosheviçin

Sali Berisha jo vetëm ishte një nga aleatët më të besuar të Milloshviçit në Shqipëri, por sipas akuzave ka zhdukur njerëz, të cilët kanë qenë dëshmitar të takimeve të tij me ‘Kasapin e Ballkanit’. Për këtë ka fakte të pafundme, por po rendisim disa prej tyre. Sali Berisha theu embargon e OKB, duke furnizuar me naftë makinerinë e luftës së Millosheviçit, i cili po masakronte boshnjakët dhe më pas do të masakronte shqiptarët e Kosovës. Thyerja e embargos me një kompani me në krye Tritan Shehun është pranuar publikisht nga Sali Berisha. Nga deklasifikimi i dokumenteve është zbuluar se Sali Berisha ishte kundër pavarësisë së Kosovës.

Në një shkrim të botuar nga prestigjiozja amerikane “New York Times”, thuhet se Sali Berisha me ngulm kishte kërkuar që Kosova të ketë një autonomi në kuadër të Serbisë. Bëhet fjalë për një takim të ish-Presidentit amerikan Bill Klinton me ish-presidentin e Shqipërisë Sali Berisha. Berisha i ka deklaruar Klintonit se njihte vetëm autonominë e Kosovës brenda Serbisë, jo pavarësinë e saj, ashtu siç edhe donte Millosheviçi. Biznesmeni patriot shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, do të zhdukej më 21 tetor 1995, do të rrëmbehej nga SHIK-u u Sali Berishës, ku u torturua, u vra dhe u zhduk. Arsyeja? Sepse kishte qenë dëshmitar i një takimi sekret mes Sali Berishës dhe Millosheviçit në në Shën Naum. Djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha, ka rrëfyer se “Dhe çfarë ndodh? Këta kthehen, babai im ndalon në Shkup, këta vazhdojnë për në Ferizaj dhe për në Prishtinë. Në lajmet kryesore të mbrëmjes, lajmi kryesor ishte që Sllobodan Millosheviç takohet me Kiro Gligorovin në Shën Naum.

Dhe retrospektivisht e tregojnë që të tre, në të njëjtin moment, e kanë bërë lidhjen se mos vallë ka qenë edhe Berisha në atë takim. Dhe unë e them pak me ironi që në atë kohë nuk ka pasur as internet, as telefona të mençur, që të lidheshin në whatsapp dhe të komunikonin me njëri-tjetrin. Telefonat ishin të përgjuar, kështu që nuk kanë pasur asnjë komunikim të mundshëm. Basriu, në cilësinë e sekretarit të shoqatës, i shkruan një letër, pa marrë leje prej babait tim sepse nuk kishin kontakte, i shkruan Presidentit Rugova për ta pyetur nëse ka dijeni se mos vallë Berisha ka qenë në atë takim. Atë letër ia dorëzon Adnan Merovcit, që ishte shef i kabinetit të Rugovës, i cili e ka konfirmuar edhe në media disa herë që kështu ka ndodhur.

Ky ia jep atë letër Rugovës. Rugova pyet Berishën. Berisha e pyet se nga i ka ardhur informacioni dhe përgjigjja ishte: nga Remzi Hoxha, sepse Bariun nuk e njihte askush. Dhe Berisha mendonte se Remzi Hoxha dinte diçka për të”. Remzi Hoxha rastësisht kishte parë në një takim edhe Bashkim Gazideden më Arkanin në Shkodër. Arkani ishte krahu i djathtë i Millosheviçit, për të kryer maskara në Bosnje dhe më pas në Kosovë. Kaq do të mjaftonte që Berisha dhe Gazidede ta zhdukin Remzi Hoxhën, krim për të cilin janë dënuar disa vegla të tyre, si Ilir Kumbaro, të cilin Berisha e pajisi me pasaportë diplomatike për t’u arratisur fillimisht në Angli.