Një faqe që ka shantazhuar minorenët me foto intime, ka shkaktuar një shqetësim të madh në qytetin e Korçës. Kjo faqe ka përdorur rrjetet sociale për të kërcënuar adoleshentët, duke i detyruar ata të dërgojnë foto intime dhe duke i kërcënuar se do t’i publikojnë nëse nuk i binden.
Disa vajza që janë prekur nga ky shantazh kanë ndarë historitë e tyre për Euronews, duke ruajtur anonimatin, dhe kanë treguar se kanë kaluar nëpër presione të rënda psikologjike, duke përfshirë edhe tentativa për vetëvrasje.
“Kjo faqe është hapur për shumë persona duke i bullizuar, shtantazhuar, me fjalë të ndryshme. Dua të ankohem sepse jam prekur e unë, dua të gjendet personi sepse nuk është rasti i parë që bëhet në Korçë dhe nxjerrin foto të vajzave, që kryejnë marrëdhënie seksuale, merren me djem të ndryshëm, këto thonë. Kam bërë denoncim në polici dhe janë në kërkim të një personi por nuk është gjetur. Jam kërcënuar, dërgo foto, do të të vij në shtëpi do të të hedh foto, të të tallin”, tregon një vajzë.
“Është një faqe qe ka hedhur gjithë vajzat e qytetit të Korçës të cilat i ulin, nxjerrin gjëra banale, këtu foto dhe familjen e tyre. Jemi mërzitur sepse shumë vajza kanë tentuar vetëvrasje. Ndihemi të kërcënuara e mërzitura se nuk i kemi bërë vërtet ato, kur dalim me rrugë nuk duan të na i bëjnë me gisht”, shprehet një tjetër.
Një tjetër dëshmitare ka treguar se faqa ka shpërndarë foto nudo dhe ka përmendur emra të individëve dhe familjeve të tyre, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim në Korçë.
“Kjo faqe është denigruese dhe shpif. Shkruan, poston foto nudo, imazhe të personave të ndryshëm. Përmend emra mbiemri, me ke rrinë, madje ka nga ato që postojnë familjarët. Është shqetësuese kemi një familje, prindër, kushërinj, nuk ndihemi mirë e të kërcënuara. Aty çfarë nuk hedhin. I dëmton shumë, njoh vajza që kanë dëmtuar veten e tyre duke prerë damarët”, thotë njëra nga vajzat.
Policia e Korçës ka konfirmuar se ky rast është duke u hetuar si një krim kibernetik dhe se janë duke pritur hapa konkretë për të gjetur autorin dhe për ta ndëshkuar atë.