Dashnor Sula i ftuar në “Real Story” tregoi se e ka këshilluar Sali Berishën që të shkonte në Gjykatën e Posaçme dhe të respektonte masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Po ashtu, Sula tregoi se i ka kërkuar Berishën, që PD të mos e linte në duart e Falamur Nokës, emrin e të cilit nuk pati dëshira të përmendte.
“Unë i kam thënë, e kam këshilluar unë në grup parlamentar z.Berisha përpara se sa do t’i ndryshonte masën e sigurisë gjykata nga detyrim paraqitje në “arrest shtëpi”, i kam thënë se do duhet të shkojë të respektojë vendimin e gjykatës. I kam thënë z. Berisha që duhet të shkosh dhe ta respektosh vendimin e gjykatës. Shko dhe para SPAK, s’ka asgjë të keqe. I kam thënë një shprehje: mos na e lë në duar… partinë të zotit x, që nuk dua t’ia them as emrin”, tha Dash Sula.
-Pse Berisha të la jashtë listës së kandidatëve?
Unë jam akuzuar për disa gjëra që nuk i shkojnë për shtat rrugës të ndjekur nga zoti Berisha, në raport me disa qasje. Me gjithë respektin për gjithë kolegët, duke përjashtuar analistët e gazetarët që kanë qenë në mbështetje të SPAK, te politikanët kam qenë ndoshta i vetmi pa hezitim dhe i qartë jo me nënkuptime që hidh një gur në mbrojtje të SPAK dhe fshihu pastaj ditë e muaj. Kam qenë prezent me qëndrime të pandryshuara.
-Ti beson 100 për qind se ka qenë SPAK-ist arsyeja?
Unë kam qenë i pari që pas humbjes së zgjedhjeve kur thashë që zoti Bash të largohej nga drejtimi i PD. Unë ja kam thënë dhe Berishës dhe njerëzve parë tij. I kam thënë ta largojë se do humbim sërish zgjedhjet. Njerëzit e Berishës bënë që Basha të zgjidhej kryetar në qershor të vitit 2021, ndërkohë që vendimi i shtatorit ka qenë vendim i gabuar i Bashës në raport me Berishën, pa mbledhur Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. I kam qëndruar këtij mendimi dhe i kam kërkuar zotit Berisha që të mos e fus PD në rrugë pa krye.
-Për këtë po jep llogari sot…
Ky ka qenë momenti i parë kur nuk jam bashkuar me zotin Berisha, se ai 3 muaj para ishte pro zotit Basha, pastaj kur u cënua doli kundër. Mos harroni 6 marsin 2022, në zgjedhjet e pjesshme isha i vetmi njeri që mori përsipër bashkinë në Rrogozhinë dhe nxora Foltoren forcë të tretë. Dhe kam dalë 600 vota pra zotit Berisha. Nuk ma fali. Nëse ju kujtohet debati për Kuvendin e 30 prillit. Thashë të jemi të gjithë bashkë, nuk u realizua. U bënë zgjedhje të njëanshme dhe nuk i kam pranuar. Kam thënë që zoti Berisha të jetë në krye të opozitës, por ama për kryeministër të jetë një figurë përbashkuse për demokratët përballë Edi Ramës. Madje kam treguar dhe emra konkretë si duhet të jetë modeli i kryeministrit.
-Ka një gjë që kërcet. Me të drejtë thatë që Berisha është hakmarrë. Por për ta saktësuar këtë gjë. Ti në këto qëndrime ke qenë me disa kolegë të tjera. Por ata u futën, madje dhe në listë të mbyllur. Pse nuk u hakmor ndaj Korreshit? Ju bashkë keni qenë. Dhe kishit të njëjtën retorikë.
Gjuha ime ka qenë më e ashpër, më i drejtpërdrejtë. Zotin Korreshi e respektoj. Por mos harro se ai ka drejtues qarku zotin Bardhi. Korreshi nuk e ka pasur koleg Dumanin, Dadon, etj. Nuk ka punuar në drejtësi. Unë kam punuar me ta. Unë kam qenë në mbrojtje pa ekuivok të SPAK. Unë në grupin parlamentar kam kërkuar të respektohet vendimi i gjykatës për masën e sigurisë ndaj Berishës. Më gjej një koleg timin që të jetë prononcuar, kur filloi një debat për zgjedhjen e zonjës Malltezi në krye të PD. Më gjej një deklaratë. Unë kam thënë në disa media që nuk duhet të mendohet të vijë zonja Malltezi.