Një ditë më parë ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Alban Bushi humbi dy prindërit në një aksident tragjik në Greqi.
Ali Bushi dhe Bukurije Bushi vdiqën tragjikisht pasi makina e tyre u përplas “kokë më kokë” me një furgon me targa greke. Ditën e sotme, Alban Bushi ka bërë një postim prekës, ku lamtumira është shumë më e vështirë, edhe për nga mënyra se si ndodhi ngjarja.
“Një vdekje e ardhur nga shkaqe natyrale është e dhimbshme, por është ulëritëse kur vjen për shkak të një aksidenti.
Nuk di sa forcë duhet për të përballuar veten që rri para jush, si dëshmitar i pafuqisë ekstreme për të ndryshuar atë ç’ka ndodhur. Madje dhe kur fatmirësisht vjen një kujtim i mirë, s’ke fuqi as për britmë lumturie, por zëvendëson një palë lot me të tjerë.
Sot dhimbshëm mora orat që kane punuar në pulsat e zemrave tuaja, aq me formë dhe vlerë në orë të pafundme pa formë që kur ai aksident me një përplasje ju hoqi fillin e jetës. Deri në përqafimet tona të ardhshme, ju dua pafundësisht, përjetësisht dhe përtej”, shkruan Bushi.