Berisha i tha largohu, merr azil ne…! Sherbimet Sekrete: Ja pse Ilir Meta u detyrua te kthehej nga Kosova

Elmas Bogdani

Arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta pas ardhjes së tij nga Kosova tregoi se karta e fundit e azilit për të shpëtuar nga prangat doli jashtë loje. Në prapaskenë Ilir Meta dyshohet se kishte kohë që po përgatiste terrenin për të shpëtuar nga SPAK tek miku i tij i ngushtë Viktor Orban në Hungari njësoj siç veproi ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski. Por këtë herë rasti “Gruevski” dështoi pasi ish-presidenti ka qenë në survejim nga shërbimet e huaja. Pas një paralajmërimi nga Sali Berisha katër ditë më parë, i cili njoftoi se pritej një arrestim i mundshëm i Ilir Metës, ky i fundit u largua në mënyrë misterioze në Kosovë.

ProfitSence Logo

Ai e dinte shumë mirë që do të përfundonte në pranga. Por mesa duket plani i ish-presidentit ka dështuar. Në momentin kur Meta po kthehej nga Kosova, shërbimet e huaja kanë njoftuar agjentët e BKH të cilët e kanë mbajtur nën vëzhgim nga pika kufitare e Morinës, pasi është futur në territorin e Shqipërisë. Agjentët e BKH-së dhe forcat e policisë u “maskuan” për të mos u zbuluar pasi përdorën automjete modeste për të lëvizur. Ata kanë ndjekur makinën ku udhëtonte Ilir Meta nga Morina deri tek Kthesa e Kamzës, ku edhe iu vendosën prangat.

Dy mjetet ku udhëtonin efektivët i kanë bllokuar rrugën makinës ku ndodhej Presidenti i PL-së, ku njëri prej automjeteve të policisë, ka qëndruar para, ndërsa tjetri pas. Më pas agjentët e BKH-së dhe efektivët e Forcave Speciale e kanë nxjerrë nga makina me force dhe është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. Mësohet se Meta ka bërë rezistencë gjatë momentit të arrestimit. Meta është lidhur me rripin e sigurimit dhe gjatë aktit të arrestit ka goditur dhe agjentët e BKH.

Alarmi se do të arratisej

Edhe eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, tha se autoritetet shqiptare kanë pasur frikë se Ilir Meta mund të arratisej. Karamuço u shpreh se në momentin kur Meta ka udhëtuar drejt Kosovës ka patur dyshime se ai po kërkonte strehim atje. Më tej, eksperti shtoi se pas kontakteve me autoritetet e Kosovës është konfirmuar se ai do kthehej sërish në Shqipëri. “E ka ditur, ka vajtur në Kosovë, madje është dyshuar se mund të interesohej për një strehim të mundshëm dhe është ndarë ky informacion me disa efektivë të Kosovës dhe ata kanë njoftuar për jo, sepse është për t’u kthyer…! …Nuk është ditur destinacioni fillestar. Mbase policia nuk e dinte, ka dashur që të vijë deri në hyrje të Tiranës. Në fillim kur është parë se të premten në sistemin TIMS, që është larguar, është menduar se është larguar për të mos u kthyer më”, tha Karamuço.

Reagon Policia e Shtetit pas arrestimit të Metës

Për të shpjeguar këtë arrestim që shumë nga opozita e cilësoi çnjerëzor, dje reagoi dhe Policia e Shtetit e cila sqaroi se ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja. “Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës. Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.

Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”, thuhet në deklaratë. “Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë”, mbyllet deklarata, teksa më herët PL deklaroi se ndaj Metës është ushtruar dhunë dhe se është tërhequr zvarrë, e se nuk ka bërë rezistencë.