Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit ku ndodhet prej 13 shkurtit, i është përgjigjur me shkrim disa pyetjeve të Grida Dumës në “Top Story”.
Veliaj ka thënë se burgosja e tij është e padrejtë, ndërsa shtoi se djali i tij ende nuk e di se ai ndodhet në burg.
“Unë jam në burg, Grida, djalit s’i kemi thënë ende. Jemi në situatë komplet të pabarabartë: Unë në burg, ku as takoj njeri, as informohem dot. Sot as krerët e kulteve, as deputetët, as dy senatorë italianë, as nënkryetarët e Bashkisë, as anëtarët e Këshillit Bashkiak, e askush tjetër nuk lejohet.
Kurse Sali kërma i 21 Janarit e Gërdecit, që i kërkon falje Olsit, është i lirë. Edhe kur ishte në arrest shtëpie dhe nuk i lejohej takimi me asnjë person, përveç familjarëve, ai vazhdonte qetësisht të priste me kuç e me maç pa e ndaluar kush dhe në kundërshtim të urdhërimit të SPAK dhe të vendimit të Gjykatës”, tha Veliaj.