Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në lidhje me informacionet për arrestimin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Sali Berisha u shpreh se është një persekutim që po i bëhet Ilir Metës, ndërsa ngriti dyshime se është urdhëruar edhe eliminimi fizik i tij.
“Është politik, nuk kanë publikuar asnjë dokument por kanë zbatuar urdhrat e Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik dhe ndoshta fizik të Ilir Metës”, tha Sali Berisha.
Të tjera detaje janë zbardhur nga arrestimi i Ilir Metës. Mësohet se kreu i PL është ndaluar nga agjentët e BKH të asistuar nga policia. Raportohet se ai ka qenë ne hyrje te Tiranës, prane Casa Italia.
Ilir Meta ka qenë duke udhëtuar me makinë kur e kanë ndaluar, ndërsa ishte i shoqëruar edhe me disa persona te tjere.
Meta ishte nisur drejt selisë së Partisë së Lirisë, ku ai kishte parashikuar të mbante edhe një konferencë për mediat.
Ende nuk ka një njoftim zyrtarë nga Prokuroria e Posaçme për këtë urdhër-arrest, por kujtojmë që Ilir Meta është thirrur në SPAK për të dhënë shpjegime për një sërë çështjes.
Kreu i PL-së është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje për çështjen CEZ-DIA.