Kryeministri Edi Rama njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Socialiste, ka zhvilluar sot mbledhjen e asamblesë socialiste në Tiranë me njësitë 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit, ku nuk ka lënë pa përmendur dhe SPAK në fjalën e tij.
Rama është shprehur se nuk është Amerika që qëndron pas insitucionit të drejtësisë dhe se shkrirja e tij si pjesë e programit të Sali Berishës, është e pamunduar. Rama thotë se SPAK është ngritur me punë, ndërsa të parët që goditen nga një sistem i pavarur i drejtësisë, janë personat që janë në pushtet.
“Nuk është një luftë që na e hapi Amerika, se Amerika i tërhoqi ushtarët që kishte sjellë për të ndihmuar dhe për të mbështetur SPAK-un, ikën. Nuk janë më aty, se i tërhoqi nga gjithë bota. Ja ku është SPAK-u prapë aty. Kush e mban SPAK-un tani aty? Meqë e kishte sjellë Amerika, e mbante Amerika, i bënte Amerika këto. Kush e mban pastaj? E keni dëgjuar bufin e kënetës që thotë do ta shkrijë? Në qoftë se ne do ishim ata që përpiqen të na pikturojnë, ishte shkrirë SPAK-u sot. S’kishte nevojë fare. Një fishkëllimë bufit dhe kishte, e di si vinte, e di si vinte me ato flokët, sikur sapo ka zbritur nga motorri.
Me zhaba, me zhapiqe, me bretkoca, me gjithë ushtrinë nga mbrapa për të shkrirë SPAK-un, por nuk ndodh kjo. Pse nuk ndodh? Jo se s’na lë Amerika, po sepse e kemi sjellë ne këtë punë deri këtu dhe e kemi sjellë jo sipas berihajit, sepse logjika më elementare s’kishin nevojë të kishe studiuar shkencë, logjika më elementare në qoftë se ti do të hysh në një reformë që do pavarësosh drejtësitë dhe do të hiqesh ti nga kontrolli, ti je i pari që do goditesh, sepse ti je në pushtet”, theksoi Rama.