Alfred Cako: ‘Mbreterit e vjeter’ po iu pritet koka, CIA ka vendosur ja kush do jete ‘Mbreti i ardhshem’ i Shqiperise

Konspiracionisti dhe teoricienin e njohur, Alfred Cako ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka zbardhur prapaskenat e forta dhe ka bërë disa deklarata të forta. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Cako sqaron se pse “mbretërve” të vjetër të politikës po ju “pritet” koka, teksa zbulon se kush është politikani i radhës që do të përfundojë në gijotinën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Po ashtu, teoricieni i njohur, Alfred Cako tregon gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, se si u kërcënua ish-kryeministri Fatos Nano në vitin 2005 kur u ndërruan pushtetet në një takim të shkurtër me ish-drejtorin e CIA. Nga ana tjetër, konspiracionisti Cako thotë se SHBA dhe NATO janë një hap larg përplasjes me Rusinë, ndërkohë që zbulon skenarin që president i Amerikës mund të mbetet Biden dhe Trump të dalë jashtë loje.

-Zoti Cako, ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në burg. Si e shihni situatën e tij politike dhe të ardhmen e tij në këtë kontekst?

Të ardhmen mund ta parashohin vetëm demonët dhe magjistarët që dinë të komunikojnë me ta. Ne mund të bëjmë hamendësime. Por e ardhmja e Metës nuk duket e mirë. Në rast të një zgjerimi të Luftës së 3 Botërore gjatë fundvitit dhe viteve në vazhdim, situata dhe rendi politik e shoqëror në Shqipëri mendoj që nuk do të thyhen. Por edhe nëse rendi politik do të bjerë si më ’97, fati i z.Meta është i errët se për të do interesohen ta neutralizojnë ata që e futën në burg.

Ne jemi, në miniaturë, ngjashëm me ngjarjet e Revolucionit Borgjez francez kur dolën disa të rinj që ngritën gijotinat në shumë qytete që prisnin pa pushim koka nga aristokratët dhe senjorët e vjetër që kishin qenë aristokracia e vendit, deri sa në fund ju erdhi ora njëri pas tjetrit zhirondinëve dhe jakobinëve duke kulmuar me ekzekutimin e Robespierit. Ata që merrnin vendimet ishin mbrapa gjykatës, të padukshëm.

Dantoni, Marati dhe Robespieri ishin ca marioneta. Tash shigjeta ka dalë nga harku. “Mbretërve” të vjetër të politikës po ju “pritet” koka. Pastaj do ti vijë radha Robespierit tonë i cili ka çuar ca të vetët në gijotinën e SPAK, në vend të Dantonit e Maratit. Jemi në fazën kur Iluminati sapo ka marrë fuqinë e kontrollit mbi gjithë shoqërinë. Turmat duan kohë heroike dhe globalistët ja u kanë sjellë heroin e gjatë, birin e këtij revolucioni të cilin vetë ky i fundit do ta gllabërojë të fundit.

-Gjatë mbrojtjes që ka bërë në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Ilir Meta ka deklaruar se kishte besim se Monika Kryemadhi do të vepronte sipas ligjit dhe se nuk mban përgjegjësi për shpenzimet e ish-gruas dhe ish-vjehrrës së tij. Si e interpretoni këtë deklaratë? Mos ndoshta Ilir Meta po i bën “kurban” të gjithë në SPAK për të shpëtuar veten…

Duhet të ketë marrëveshje mes çiftit për këtë skenar me besimin se nëse Ilir Meta është i lirë në krye të LSI dhe institucioneve qeverisëse mund ta ndikojë drejtësinë e re. Përndryshe ky do të ishte një nga rastet e rralla të ekstremit të paburrërisë ku burri kërkon të jetë i lirë e gruaja në telashe me drejtësinë e re për mëkate publike që i kanë bërë së bashku. Por arsyeja pse po goditet Meta nuk është parimore, por pragmatiste. Po spastrojnë ferrat për të kontrolluar gjithë spektrin politik.

-Nëse do të flisni për administratën Trump, a besoni se ajo mund të ndikojë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri?

Situata është e mjegullt dhe ka 2-3 skenarë të mundshëm. Historia e dhjetorit 2024 do të jetë ndoshta muaji më i rëndësishëm në historinë botërore. Nëse Trump do të vijë në pushtet (pasi mund të mos vijë sepse mund të hapet Lufta e 3 Botërore me Rusinë dhe organet si Kongresi dhe Gjykata Kushtetuese në USA mund të marrin vendimin që të mos ndërrohet administrata kur fillon një Luftë dhe kjo mund të sjellë dhe trazira të brendshme ku mund të goditen e burgosen nga FEMA mbi 80 mijë republikanë patriotë “ekstremistë” në mbi 80 kampe përqendrimi të ndërtuara deri sa të mbarojë lufta), Deep State dhe kompleksi ushtarak e shërbimet inteligjente nuk do ta lejojnë të ketë pushtet të mjaftueshëm dhe të shpejtë; por nëse ai vjen normalisht në janar, besoj që do të ndikojë sa të mundet për ndërrimin e kuajve të pushtetit në Shqipëri, siç ndodhi me Fatos Nanon me 2005 që u kërcënua në një takim të shkurtër para zgjedhjeve nga ish drejtori i CIA Porter Gross.

Këtë e them për shkak të pikës 8 të deklaratës që bëri Presidenti i rizgjedhur Trump në luftën kundër Deep State dhe qeverive të huaja që janë zgjatim i saj jashtë USA. Por unë mendoj se Trump dhe Putin janë ashtu si Hitleri, lojtarë të Elitës Globale që po plotësojnë skenarët e Axhenda Rockeffeler 2030: Depopullim, Para Dixhitale, Mikroçipim, Transhumanizëm (njeriu Hibrid ose Deus Human) dhe adoptimi i Revolucionit të 4 industrial me Internetin e Trupave (Internet of Bodies, pas Internetit të Gjërave, Internet of Things ku ndodhemi sot).

-Për sa i përket Soros dhe influencës së tij globale. A mendoni se ata mund të jenë të rrezikuar nga politika e administratës Trump, përfshi edhe njerëzit e Soros në Shqipëri?

Soros dhe Trump mund të jenë gurë shahu në dy krahë ideologjikë të politikës së USA dhe me ndikim botëror. Por nëse Trump është ashtu siç duket, një hero i njerëzimit, një time traveler siç ju pëlqen disa republikanëve elitarë ta quajnë, fuqia e Soros si fenomen, do të varet nga skenarët që përshkruam tek pyetja 3.

-Vendimi i Presidentit Biden për të lejuar Ukrainën të godasë objektiva të thella në territorin rus ka sjellë shumë diskutime. Si e shihni këtë veprim?

Me përjashtim të dy rasteve, deri tani NATO ka bërë një proxyëar kundër Rusisë me anë të Ukrainës. Më parë Rusisë ju goditën tubacionet Nord Stream në Detin Baltik në një territor që nuk ishte në luftë dhe nga shërbimet sekrete të Perëndimit si dhe sulmi mbi Urën në Krime dhe sulmi drejt Kurskut me forca mercenare të stërvitura nga NATO. Ky vendim e zgjeron hartën e sulmeve mbi tokën ruse. Nëse Putin nuk godet jashtë territorit rus deri më 5 janar, kjo do të thotë se Putin dhe Trump janë kundër Deep State në perëndim.

Nëse Putin godet diku, jashtë territorit ukrainas forca ushtarake a civile në perëndim, atëhere kjo është një lojë e madhe që do të hapë shpalljen e Luftës nga NATO kundër Rusisë dhe pengimin e Presidentit Trump të vijë në pushtet si edhe trazira në USA. Por presidenti Biden, pas zgjedhjeve më 5 nëntor në USA, i ka kompetencat e kufizuara dhe honorifike dhe normalisht ai nuk mund ta merrte këtë vendim ndaj zgjerimit të Luftës apo kalimin e fondeve dhe ndihmave për Ukrainën.

– Nëse SHBA dhe Rusia do të hyjnë në një luftë të drejtpërdrejtë, si do të ndikonte kjo në politikën globale? Si do të reagonte NATO dhe cilat do të ishin mundësitë për një përplasje më të madhe?

Nëse kjo do të ndodhë, mund të çojë në përdorimin e armëve nukleare dhe humbjen e Rusisë dhe copëtimin e shkatërrimin e saj dhe rënien në skllavëri e humbje të popullit rus, ashtu siç ju ndodhi gjermanëve pas dy Luftrave Botërore deri sot që paguajnë prej 3 brezash reparacione.

Intervistoi: Rigels Seliman