Mbrëmjen e djeshme, Luiz Ejlli ndau me ndjekësit e tij në Instagram një projekt të veçantë, një këngë dedikuar të ndjerit Martin Cani, 14-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht disa javë më parë, pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar.
Ngjarja tronditëse ka lënë një boshllëk të madh në familjen e tij, e cila vazhdon të kërkojë drejtësi.
Kënga, e titulluar “Për Martinin”, është një homazh i ndjerë nga Luizi, i cili ka gjetur mbështetje të gjerë, por gjithashtu ka ngjallur edhe kritika në rrjet.
Disa komentues kanë pretenduar se artisti po kërkon të përfitojë vëmendje dhe të ardhura nga situata e dhimbshme.
Megjithatë, këto akuza bien poshtë menjëherë. Luizi nuk e ka bërë këtë projekt për përfitime personale. Përkundrazi, ai ka hapur një kanal të ri në YouTube me emrin e të ndjerit Martin Cani, ku është publikuar kënga.
Të gjitha të ardhurat që gjenerohen nga ky kanal do të shkojnë ekskluzivisht për familjen e Martin Canit, duke treguar një akt solidariteti dhe mbështetjeje të jashtëzakonshme.
Projekti muzikor “Për Martinin” ka arritur mbi 160 mijë shikime deri më tani, ndërsa kanali i dedikuar ka mbledhur 1,400 abonime brenda 24 orëve të para.