Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar në lidhje me vdekjen e 12-vjeçarit nga Maliqit në pediatrinë e kryeqytetit.
QSUT teksa i shpreh ngushëllimet familjes, thotë se i mituri u diagnostikua me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.
Njoftimi:
QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë.
Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.
Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet.
Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient.
12-vjeçari Leo Sadiku ndërroi jetë në ambientet e Spitalit Universitar Nënë Tereza mëngjesin e sotëm në spitalin e Tiranës, pas një periudhe trajtimi për virozë.
Ndërsa familjarët e të miturit kanë thënë për mediat se djali i tyre nuk kishte probleme shëndetësore më herët, madje ka qenë aktiv dhe në aktivitetet sportive.
Sipas asaj që prindërit e 12-vjeçarit kanë treguar mësohet se në fund të muajit dhjetor i mituri ishte dërguar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit, përfshirë të vjella dhe temperaturë të lartë dhe ishte trajtuar në reaminacion.
Ata akuzuan mjekët se i mituri nuk mori mjekimin e duhur. Gjithashtu ata kanë bërë të ditur se përgjatë ditëve të fundit niveli i sheqerit në gjak të 12-vjeçarit kishte arritur deri në 200.