Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), ngriti pritshmëritë e publikut duke paralajmëruar një “ekskluzive” me këngëtaren e njohur Parashqevi Simaku gjatë natës së tretë të Fest 63, e cila i ishte dedikuar “Natës së Nostalgjisë”.
Pas shumë zhurme dhe pritjeje, ky moment mbërriti pak para mesnate.
Në një video mesazh të shkurtër, Parashqevi Simaku bëri një përshëndetje për festivalin dhe konkurrentët, duke ndarë pak fjalë në shqip dhe pjesën tjetër në anglisht.
“Përshëndes Festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizion. Do të doja të isha aty. Herën e fundit që kam qenë aty këndova një këngë të bukur në vitin 1999, ‘Dëgjoma këngën’. Një puthje për të gjithë ju, konkurrentët e Festivalit të 63-të,” u shpreh Simaku në mesazhin e saj.
Mirëpo kjo përshëndetje, ndonëse një moment nostalgjik, u konsiderua nga shumëkush si një “surprizë e vakët” krahasuar me pritshmëritë e ngritura nga RTSH për një prezencë më të madhe të këngëtares ikonë, duke shpérthyer në komente se “e shitën imazhin e Parashqevisë si ekskluzive për asgjë!”.