Misteri i v**sjes së Agim Shukes, çfarë i bënë aktorit të njohur, cfare dinte ai pas komunizmit

Pse është harruar vrasja misterioze e aktorit të shquar Agim Shuke, në vitin 1992? Ai jetoi edhe disa ditë pas atentatit, i dërguar me urgjencë në një spital të Romës, në Itali.

Doli nga koma, por nuk mbijetoi. A e pyeti njeri si ngjau? Si është mundur që shteti ynë prej vitesh nuk ka marrë masa për zbardhjen e këtij krimi?

Agim Shuke duhet ta ketë parë ose ditur diçka se kush e vrau.

A u ndoqën pistat e dyshuara të krimit që u publikuan në shtypin e kohës?

Pse kaq heshtje, kur dihet që pas vdekjes së tij në vitin 1992 është protestuar me arkivolin në krah para Ministrisë së Rendit për zbulimin e kriminelit?

Agim Shuke nuk i kishte bërë askujt keq në këtë botë. Madje ishte një natyrë e butë dhe mjaft zemërgjerë, punëtor dhe i talentuar. Çfarë kërkonte vrasësi prej tij?!

– ELVIRA DIAMANTI

Kur jeni njohur për herë të parë me Agim Shuken dhe në cilat rrethana?

-Agim Shuken e kam pasur pedagog në vitet e fundit të studimeve të mia në Akademinë e Lartë të Arteve. Me të kam punuar për filmin “Shi në plazh”, ku ai luante rolin e Zenos, një beqari në moshë të shtyrë. Ka dialogje të paharruara me tre aktorë të shquar Robert Ndrenikën, Albert Vërrinë dhe Viktor Zhustin. Ka krijuar një karakter unik të personazhit, që nuk harrohet lehtë. Të punoje me Agim Shuken ishte një komoditet mjaft i madh, sepse ai shquhej nga një butësi e karakterit. Kjo ishte dhe mënyra e komunikimit të tij me studentët. Ishte shumë serioz dhe kërkues si artist, por komunikonte me dashuri dhe respekt me të gjithë. Më vjen keq që ai iku në kulmin e arritjeve të tij, ishte talent. Në kulmin e realizimeve filmike e skenike të njëpasnjëshme, ai u nda nga jeta, prej një dore kriminale që edhe sot mbetet mister. Ndaj në këtë përvjetor të tij do të doja të kishte më shumë pjesëmarrje dhe interesim. Mua më vjen keq që nuk janë as familjarët e tij këtu.

Ku ishit ju kur dëgjuat për vrasjen e Agim Shukes. Si ngjau?

-S’e kam idenë fare. Nuk isha në Shqipëri në atë kohë. Dëgjova shumë vonë se ka ndodhur një vrasje e tmerrshme dhe kur e dëgjova jam shokuar.

Sa kohë me vonesë e morët vesh lajmin nga koha e vrasjes?

-E kam marrë vesh lajmin pas dy apo tre vjetësh. Nuk e mësova dot sesi ngjau. Dhe në atë çast që e mësova nuk doja të dija më përveç asaj ndjenjës së një jete që u la përgjysmë, që mungonte, sepse 50 vjeç do të thotë të jesh shumë i ri.

Nuk kërkuat nga kolegët këtu në Shqipëri të dinit më tepër. Sa i afërm ishte për ju?

-Nuk jepte dot njeri as një shpjegim. Mbeti mister. Gimin natyrisht që e kam njohur si një artist, siç mund ta njohin të gjithë njerëzit. Për mua ishte një aktor mjaft i ngrohtë e me karakter. Ai ka luajtur shumë role dhe nga ajo çka pamë nga montazhi i sotëm, natyrisht duket se ishte një aktor shumë i mirë. Me Gimin kam kontaktuar kur për herë të parë u krijua një përvojë e re në Trupa e Akademisë së Arteve, ku merrnin pjesë pedagogë dhe studentë. Unë në atë kohë kam qenë studente në vitin e fundit dhe Gim Shukja ka qenë pedagog. Ai ishte një aktor shumë komod dhe një pedagog shumë i mirë, pa ato distancat e autoritetit me të cilat do të ishte e pamundur që të interpretoje. Ishte nga ata aktorë që do t’i jepte shumë më shumë skenës dhe ekranit. Më vjen keq që mungon, por sot megjithatë kemi këtë galeri rolesh të Agim Shukes që është mjaft e pasur.

Nga mënyra si luani tek “Shi në plazh”, duket që ka pëlqyer shumë roli. Ishit ende studente, sa ka ndikuar bashkëpunimi me Agim Shuken në këtë komedi?

-Natyrisht shumë. Por tek shi në plazh ishin disa artistë të mirë. Tedor Laço bëri skenarin. Përveç profesor Gimit ka ndikuar profesor Birçja, profesor Viktor Zhusti, Profesor Robert Ndrenika. Komedia e Tedor Laços për mua është një komedi shumë e mirë, dhe që të gjitha bashkë bënë që dhe unë me Gimin të kem një rol që rridhte natyrshëm.

Çfarë mbani mend se ka shprehur vetë ai për këtë figurë. Si e priti kritika e kohës?

-Mund të them se si kritika dhe publiku e priti mjaft mirë, por ajo çka mbaj mend është një punë intensive me profesor Gimin, ditën e pasditen, që nga prova e parë në finale ku pashë një rol të realizuar mjaft mirë. Ai punonte me këmbëngulje për të arritur atë që arrinte.

Është një person i veçantë për ju, profesor Gimi?

-Natyrisht hyn tek aktorët e realizuar plotësisht dhe është normale që ajo çfarë pasqyrohet së jashtmi vjen së brendshmi. Unë nuk kam qenë gjatë gjithë kohës e lidhur me të, që të tregoj më shumë. Por duhet të dimë se pa atë brendinë e pasur të botës shpirtërore dhe të mendjes së tij nuk do të ishin gjithë ato role të mrekullueshme. Pra ai ishte i mrekullueshëm edhe si njeri.

***

– SHKËLQIM AGO

Çfarë marrëdhëniesh kishit me Agim Shuken?

-Jam bashkëqytetari i tij. Jemi lindur e rritur në një lagje.

Nëna e tij Kristina i ka rritur me mundime dy djem që mbetën jetim pas vdekjes së të atit. Sot në Kuçovë janë ende gjurmët e shtëpisë së tij të rrënuar. Por më besoni, aty çdo vit çelin dy zambakë. Dy djem kishte kjo familje. Dora e Zotit bënë çudira. Agim Shuke vinte nga një familje e mirë. Iku herët nga Kuçova. Ndërsa më vonë lidhja ime me Agim Shuken ishte si e çdo shqiptari që ka lidhje me artin.

Ju lidhte profesioni?

-Profesioni im është gazetar lokal dhe jam autor i një monografie që i kam kushtuar para ca vitesh kur ai ishte në Kuçovë, në vendlindje. Ne si bashkëqytetarë vendosëm t’i dedikonim një monografi të thjeshtë. Lidhja ime u bë më e fortë me të, sepse unë i kushtova monografinë atij si djali i Kuçovës, kur ai mori titullin Artist i Merituar. Kjo më bëri që të jem më i lidhur. Kam zgjedhur për librin pjesë intime të jetës së tij private dhe familjare dhe asaj të artit që ai ka bërë?

Pse ka mbetur vetëm kopja personale e monografisë?

-E kanë blerë menjëherë. Nuk u mendua se një monografi e thjeshtë do të kishte aq shitje sa të mos gjesh sot as një kopje. Libri u shit nga dashuria që kishte publiku për Agim Shuken.

Si keni njohur artistin në jetë?

-Që ishim fqinj ishte pikënisja, por për monografinë mua m’u deshën dy vjet që të mblidhja materiale për të pasqyruar jetën dhe veprën e tij sa më saktë, më vjen keq qe s’gjeta në treg kopje që t’ua ndaja sot gazetarëve.

Si është komentuar dita e vrasjes së tij?

-Krimi që ndodhi ndaj tij është tronditës si për gjithë të tjerët edhe për qytetarët e Kuçovës, moshatarët, bashkëmoshatarët e tij. Edhe sot e kësaj dite ndihemi të shokuar. Pse duhej të ndodhte?!

Mbeti një gjë krejt e panjohur apo u ngrit ndonjë alibi që i ka fshehur gjurmët?

-Në fakt nga të katër pistat e hetimit që u shpallën, asnjëra nuk u vërtetua…

Cilat ishin pistat?

-Nga këto katër faktikisht nja dy janë dhe private, familjare. Nja dy u thanë për shkak të detyrës

Cila ishte detyra e tij, pse për shkak të detyrës?

-Ai ishte pedagog në Institutin e Lartë të Arteve në atë kohë dhe u ngrit një alibi se do të jetë ndonjë hakmarrje për ndonjë punë note. Por mua kjo nuk ma mbush mendjen, sepse ai ishte një pedagog i dashur. Nuk di ç’të them. Asnjë pistë nuk u vërtetua.

Po ju thatë se pati edhe dy pista kërkimi brenda familjes?

-Brenda familjes ata kanë gjykuar historinë e divorcit. Në atë kohë nuk ishin konstatuar as ligjet mbi të drejtat e detyrimet e çiftit pas divorcit, siç është problem dhe sot e kësaj dite. Kanë pasur një problem thoshin në linjën familjare, sepse ka qenë i divorcuar më parë.

Di gjë ti, disa ditë para vdekjes në spital, a pati komunikime të ekspertëve të policisë së shtetit për ta testuar a e kishte parë kriminelin?

-Ah ekspertiza! Shteti shqiptar në fakt, ç’të them, ai shkoi në Romë me lejen e tij, por edhe me përpjekjet që bëri familja për ta çuar në Itali.

Cila familje? Ishte martuar sërish Agim Shuke?

-Me gruan e parë ai ishte ndarë shpejt. Ai ishte i martuar me këtë gruan që ka kurorën dhe sot e kësaj dite. Tashmë ka dy fëmijët që janë me të. Prej divorcit ishte rikuperuar e kaluara. Fedra, bashkëshortja e tij dhe vajza e djali janë në Angli, nuk jetojmë më këtu.

Më trego pak për familjen e tij?

-Fedra, bashkëshortja është vajzë korçare, motra e Maksim Pilikës. Vajza quhet Irisa dhe djali quhet Orli. As familja e tij ende nuk e ka gjetur pse dhe kush e vrau Agim Shuken.

Po media si ka reaguar në atë periudhë. Nuk mbajti shteti përgjegjësi sesi një artist u vra?

-Shteti e ka marrë dhe e kanë çuar në një nga klinikat e Romës, ku pas disa ditësh në koma i kanë bërë një shërbim permanent të specializuar. U përkushtua si familja dhe shoqëria se ishin nga Kuçova disa bashkëmoshatarë të tij që iu gjendën te koka. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Gimi nuk jetoi më.

Si autor i monografisë sa je interesuar për të vërtetën e krimit?

-Ka qenë e pamundur të investigoje në këtë fushë, sepse kudo që vija gjeja atë opinion dhe përshtypje që ai ishte një njeri i mirë. Nuk i shkova dot pas kësaj linje. Reagimi i tyre ishte se Agimi ishte shumë i madh. Këtë thoshin kolegët, njerëzit e artit. Por do t’ju them se në atë kohë kur erdhi trupi i tij i pajetë është protestuar me arkivolin e tij në krah përballë Ministrisë ë Rendit dhe është qëndruar gati 20 minuta me gjithë pjesëmarrësit në kortezh. Kishte parulla: “Stop krimit”, “Të zbardhet vrasja e Agim Shukes”. Kanë kaluar 20 vjet e krimi nuk është zbardhur akoma.

– SAJMIR KUMBARO

Si ke njohur Agim Shuken?

-E kam njohur Gimin në filmin “Plagë të vogla”, kur unë desha të bëhesha aktor dhe tashmë Gimi ishte aktor. Ishte kënaqësi të punoje me të e me Roza Angnostin e me Ndrekë Lucën. Ishte një aktor i kompletuar, jo vetëm për heronjtë por edhe për karakteret. Personazhet i bëri tokësor. Ai vinte re detajet te veshja, te krehja. Ishte një aktor i madh, por një njeri shumë modest.

Si e morët vesh lajmin e vrasjes. Ç’dini më tepër?

-Nuk e mora vesh si ngjau. U trondita kur e dëgjova. Gimi nuk kishte konflikte, nuk ishte sherrxhi, të gjithëve u hapte rrugë. Ishte shumë paqësor dhe sot e kësaj dite unë them si nuk i gjetën këta njerëz?!

Si nuk u gjetën, vërtetë? Ai jetoi disa ditë pas atentatit. Dini ju nëse ka pohuar gjë?

– Ç’të them. Ai jetoi pas atentatit, por ose nuk ka dashur të thotë, ose nuk arriti t’i njohë. Kjo na dëshpëroi vërtetë, sepse të vrasësh një artist është krim, sepse ke vrarë gjithë personazhet e tij. I ke vrarë edhe të ardhmen.

Është aluduar në atë kohë për një konflikt pronash?

-Nuk e di. Ajo ka qene pistë e shpikur kot. Nuk e di të ketë pasur Gimi prona. 1992-shi ishte një kohë kur populli e shteti u çorodit. E di si them unë me humor, ndodhi si me një vajzë të mbajtur me ferexhe që e fut direkt në një diskotekë. Çoroditja ishte totale.

A e bëri shteti punën e tij për zbardhjen e krimit?

-Çfarë shteti. Ne kishim një shtet infantil. Gimi ishte njeri shumë pozitiv. S’mund ta mendoja se do ta vriste njeri një ditë.